Zbukurimi shënon një proces të natyrshëm brenda vetë simbolikës së nusërimit si dhe të nuses si thelb e bartëse e kësaj simbolike, kur gruaja lipset medoemos që të shfaqet ne
sipëraninë e bukurisë së saj, të feminitetit dhe hijeshisë trupore, çka lejon dhe përligj sakaq efektin momental të fuqisë joshëse në kuptimin e sensualitetit dhe seksualitetit si ndaj dhëndrit si bashkëshorti ardhshëm, ashtu dhe ndaj gjithë “syrit” vlerësues të dasmorëve si miratues entuziast ose jo të kësaj bukurie.
Qëndrimi i shoqërisë ndaj vajzës-nuse ngjan se ishte më tolerant se shumëçka e ngjashme me të për nga mosha, paçka se koha, zakonet që aplikoheshin dhe posaçërisht figura e gruas konceptohej si qenie inferiore, e shtypur dhe nën diktatin mashkullor, aspak e lirë të shfaqte haptazi feminitetin e saj nën një shoqëri thellësisht patriarkale, të kanonizuar, shpesh me mbivendosje religjioze orientale e islame, që e bënte edhe më të vështirë njëmendësimin e këtij atributi. Megjithatë, nga ana tjetër, duhet thënë se pikërisht në momentin e dasmës dhe nusërimit, i kuptuar si një institucion moral e si një kulti pacenueshëm e tejet i respektueshëm ndër shqiptarët, nusja dhe nusërimi mishëronin shprehjen sublime të lirisë dhe publicitetit” të bukurisë dhe hireve femërore.
Paçka se kufizoheshin dukshëm tepritë apo zbukurimi si vetqëllim dhe tejkalim i modelit të pëlqyer masivisht (dhe këtu parakuptohej, për shembull, zhveshja e një pjese sensuale të trupit, ndër to gusha, pjesa ndarëse e mesore e gjoksit, modeli alla franga” i flokëve pa shaminë mbështjellëse si dhe mënyra e ” grimimit” provokues të fytyrës etj.), ndërkohë studimet kanë vënë në dukje se efektet e zbukurimit nuk nënvleftësoheshin në asnjë rast.
Përkundrazi, brenda moralitetit të kohës dhe kodit zakonor që ndiqej e zbatohej, bëhej ç’është e mundur që bukuria e nuses të nxirrej sa më mirë në pah, rrjedhimisht edhe fuqia joshës e sensualitetit dhe seksualitetit të saj, ndonëse disi të mistifikuara nga mbulimi prej petkave të kushtueshme dhe zbukurimi i tyre me fije ari e argjendi. Instinktivisht, gratë që zbukuronin nusen dhe ata që bënin “prerjen” e petkave të nusërimit, i kushtonin vëmendje spikatjes së pjesëve sensuale të saj, kurdoherë pa e tejkaluar cakun e lejueshëm.
Tanimë nuk ishte vetëm zbukurimi i fytyrës, gishtave, vetullave, flokëve etj., por bëhej kujdes i veçantë për evidentimin e bukurisë trupore, paçka se i mbuluar me petka të holla, shpesh të mëndafshta, sikurse qenë pjesët sensuale të tij si beli sa më i hollë, gjoksi i ngritur, barku sa më i mbledhur dhe i rrafshët, supet e ulura e të rrumbullta, forma e krahëve etj.
Kur duhet t’i vënë myhyrin (unazën) ajo mbyll gishtat, por gratë e detyrojnë t’i hapë dhe ia fusin myhyrin (unazën) me zor. Pjesën e përparme të flokëve ia përgatisin në formë cullufe dhe spërdredhje. Pjesën e prapme ia bëjnë gërsheta e ia lëshojnë pas. Fytyrën dhe duart ia lyejnë me zhivë. Në kokë i vënë një kamata” (nëpër këngë evidentohej kjo pjesë e veshjes së nuses), në fund duvakun“ (një copë e kuqe, e hollë, që i mbulonte nuses kokën e fytyrën). Ky zakon mbarëshqiptar praktikohej në Shkodër, Elbasan, Krujë, Elbasan, Kosovë etj. Mbi duvak i vënë lule ngjyrë argjendi (lule deti) që priten fije-fije.
Lidhur me këtë argument është me shumë interes të sillet edhe informacioni që na vjen nga albanologu i njohur Franc Nopça në librin e tij ”Pikëpamje fetare, doket dhe zakonet e Malcisë së Madhe”. Natyrisht duhet që të gjithë vizitonjësit, qoftë nusja sado e shëmtuar, ta lëvdojnë me zë të lartë bukurinë e saj. Ajo mundohet ta fshehë fytyrën, por kjo nuk i bën dobi dhe kur hyn ndonjë mysafiri rëndësishëm, zonja të familjes së saj ia ngrenë kokën me pahir, që kështu zotëria ose zonja e madhe të mundin ta shikojnë më lehtë.
Ndërkaq nuses nuk i lejohet të thotë asnjë fjalë, nuk i lejohet të lëvizë, bile dhe mizat duhet të kujdesen të tjerët t’ia largojnë nga fytyra. Ky zakon është edhe në Sicili (Trepano) dhe quhet ”macararu”, që qenka, sipas Pitre, një fjalë arabe. Po ky zakon është dhe në Azinë e Vogël, sipas përshkrimeve të Carnoy-t dhe të Nikolaides-it. Ky përfaqëson pikëpamjen, që këto zakone e kanë burimin në kohën Bizantine dhe Arabo-Islamike, që mungon në Europën Qendrore dhe në Itali”.
Më tutje, albanologu Franc Nopça sjell edhe një element tjetër interesant të ritit të nusërimit:
Nusja e re duhet të nusërojë në një cep të dhomës, sa herë ka vizita. Pastaj gra më të vjetra, kur takojnë rrugës një nuse të re me të dy nunët, që e shoqërojnë, kanë të drejtë ta ndalojnë për ta shikuar nga afër. Në raste të këtilla gratë shoqëronjëse i ngrehin nuses velin; nusja i mban sytë të ulur. Gjatë një viti, kur nusja takohet me të tjerë, i mban sytë të ulur.44 Ndonëse hulumtimi është bërë në Malësinë e Madhe, në fakt ai është thuajse i njëjtë edhe në malësitë e Tiranës. Sipas tij nusen e zbukurojnë, i lyejnë flokët me një përzierje goglash, luleshqerrash, gur kali (Vitriol hekuri), fletë kulpre, dafinë etj.
E lënë kështu një ditë nga e premtja tek e shtuna. Më pas ia heqin pomadën e sajuar, e lajnë me sapun dhe rishtazi e lyejnë me erëza lulesh e bimësh, e zbukurojnë, e veshin me tyl dhe e nxjerrin për ta kundruar të tjerët, burra dhe gra. Albanologu bën qasje të ndryshme të aplikimit të ritit të martesës, më ngushtë të nusërimit, midis shqiptarëve, grekëve e maqedonasve duke nxjerrë në pah afëritë dhe dallimet.
Ndër të tjera ai thekson edhe ndikimin e religjionit mysliman si dhe atij bizantin, posaçërisht sa i takon ritit të “nusërimit”, ku thuajse mungon lirshmëria e nuses nga vetë rrethana e marrëdhënieve patriarkale sunduese në familjen shqiptare dhe statusi i ulët i gruas, rrjedhimisht shndërrimi i nuses gjatë nusërimit në një farë manekini, kukulle a sendi zbukurues, i paracaktuar të ”shijohet” dhe “Vlerësohet” nga të tjerët, gjithherë e kontrolluar dhe e urdhëruar nga gratë e shtëpisë.
Kjo bën që ky rit, sipas Nopçës, të shfaqet në mënyrë krejt të veçantë dhe origjinale, ndryshe nga mënyra e aplikimit të tij në Europën Perëndimore e atë Qendrore.45 Ndër të tjera, Nopça shkruan: “Të premten mbrëma i lyejnë flokët nuses, duke përdorur si mjet një çorbë të ngatërruar prej goglash, luleshqaerrash, gurëkali (vitriol hekuri), fletë kulpre, dafinë.
Me këtë mjet i lyejnë flokët të premten dhe i lënë ashtu të tërë ditën e shtunë. Një gjë të këtillë përdorin grekët e Maqedonisë. Të shtunën në mëngjes vijnë dy gra, që e dinë zanatin e tyre, i bëjnë nuses banjë, i lajnë pomadën nga flokët, i pastrojnë trupin nga leshi i tepërt dhe në rast nevoje edhe fytyrën; e ngarkojnë me stolira, i veshin rrobat më të mira dhe i mbulojnë fytyrën me një tyl. Nuk kam mundur të konstatojë nëse dhëndri ruhet të shtunën siç bëjnë në Maqedoni. Kur dhurata nuk bëhet të ënjten, mund të shtyhet gjer të shtunën në mëngjes, siç bëjnë dhe grekët e Maqedonisë.
Pasi është veshur nusja, e nxjerrin në dhomën më luksoze të shtëpisë, që ta shikojnë të gjithë. E detyrojnë nusen të ulet në mes të dhomës mbi jastëkë dhe të rrijë kështu pa lëvizur (të nusërojë) gjithë ditën. Pasi ulet nusja, i heqin tylin e mëndafshtë nga fytyra dhe me përjashtimin e dhëndrit dhe të familjes së tij, mund të hyjnë në dhomë të gjithë të njohurit e të dy familjeve, qofshin burra ose gra për të shikuar nusen, që qan dhe skuqet nga turpi, si të jetë diçka pa shpirt.
Shkëputur nga libri “Rite, doke dhe zakone, të martesës në tiranë dhe rrethinat e saj” me autor: Sabina Vaqarri
Foto kryesore: Përgatitja për dasmë – Pikturë nga mjeshtri Buron Kaceli
No Comment! Be the first one.