Zanafilla e futbollit në Tironën e vitit 1908
Nga Bedri Alimehmeti
Në gazetën turke “Hyriet” e vitit 1908, është botuar një lajm i shkurtër në të cilin bëhet fjalë për një ndeshje futbolli luajtur në Kamëz. Protagonistë të atij takimi kanë qenë një grup djemsh nga Kamza dhe një grup djemsh nga Tirana, ardhur enkas në ambjentet e fermës së atdhetarit Refik Bej Toptani “Nderi i Kombit”, i cili sipas shkrimit në fjalë ka qenë ideatori e organizatori kryesor i këtij eventi vërtetë të pazakontë për kohën, që u zhvillua për nder të ardhjes në pushtet të xhonturqve (23 janar 1908). Ndeshja është luajtur në një fushë mbuluar nga bari, ku në dy skajet anësore të së cilës në vend të portave me trarë vertikal e traversë horizontale kanë shërbyer veçse dy “hunj”. Gjithsesi edhe pse në kushte të tilla, që (sot) lënë për të dëshiruar takimi ka qenë shumë interesant e, është ndjekur nga një numur i konsiderueshëm shikuesish dhe ka përfunduar me fitoren e thellë të Tiranës 8-1!
Kaq thuhet në atë informacion të shkurtër, të asaj gazete turke faksimilen e së cilës për fat të keq nuk e kemi siguruar. Megjithë mungesës së këtij dokumenti, mendojmë se ky “fakt” dëshmon më së miri për hershmërinë e topkambës luajtur në Tiranë. Madje në një farë mënyre zhvillimi i kësaj ndeshje shënon edhe derbin e parë historik Tirana-Kamza. Vërtetësinë e këtij lajmi na e përforcon edhe ajo çka shkruan në dokumentat e tij Lef Nosi, sipas të cilit “në Tiranë ka patur shoqëri sportive të organizueme që në vitin 1906”.
Por nuk mbaron këtu. Një fakt tjetër shumë interesant, i cili gjendet bukurfort pasqyruar me detaje në gazetën “Zgjim e Çqipërisë” me drejtor Abdyl Kadri e datës 21 prill 1911, fq. 2, art. 174. Në atë artikull bëhet fjalë për një turne futbolli zhvilluar gjatë një panairi në Rahije të Fierit ku merrnin pjesë qytetet: Tirana, Lushnja, Kavaja, Peqini, Berati, Elbasani, Vlora dhe Fieri. Me pak fjalë ja ç’ka shkruante gazeta e atij viti të largët lidhur me zhvillimin e atij turneu futbolli, deri më tani i evidentuar si i pari turne futbollistik në Shqipëri:
“…Në Rahije të Fierit bëhet një panair i madh. Në këtë panair kishin ardhur nga Tirana, Elbasani, Kavaja e Peqini, e nga vise të tjera. Për të mbledhur të hollat e vendit që n’ në shitblerësit, katundaria kish caktuar të birë e Mydyrit…..këtu u mblodhën shumë popull, ku me këtë rast u zhvillua edhe një aktivitet sportiv top’kambë, me skuadra të formuara nga qytetarë e katundarë të ardhur nga këto qytete, gjithsej 8 skuadra, që u ndeshën në këtë lojë të re, për të fituar një shpërblim, i cili kishte një vleftw sa 6 monedha ari…”Nga data 7-14 prill, në qytetin e Fierit, u zhvillua një turne futbolli me pjesmarrjen e 8 skuadrave të Tiranës, Kavajës, Elbasanit, Peqinit, Lushnjes, Beratit, Vlorës e Fierit. Skuadrat u ndanë në 4 çifte, duke u ndeshur me sistemin e eliminimit, me nga një takim. Më pas 4 fitueset, u ndeshën në gjysëmfinale dhe më pas në finale.
Të gjitha takimet janë luajtur në Fier. 1/4 FINALE; FIER, 7 deri më 10 PRILL 1911. 07.04.1911, ora 15.00 “TIRANA” – “ELBASANI” 9-4. 08.04.1911, ora 15.00 “KAVAJA”-“BERATI” 8-2, ora 15.00 “PEQINI” – “VLORA” 11-3. 10.04.1911. ora 15.00 “TIRANA” – “KAVAJA” 4-0. 12.04.1911 ora 15.00 “FIERI” – “PEQINI” 2-16. FINALJA , FIER 14 prill 1911, ora 15.00 “TIRANA” – “PEQINI” 6-1. TIRANA SHPALLET FITUESE E TURNEUT, NË PANAIRIN E FIERIT. Kupën dhe çmimin e mori kapiteni i Tiranës z. Zyber Hallulli.”
No Comment! Be the first one.