Vetëm një rreth i ngushtë shokësh e miqsh e di se, para se të merrem me basketboll, unë kam qenë në skuadrën e të rinjve të Xhavit Demnerit.
Kam qenë në klasën e fundit të unikes, siç quhej atëherë shkolla shtatëvjeçare dhe në krah kisha emra të tillë si Gëzim Kasmi, Luigj Bytyçi, Ali Mema, Fatmir Frashëri, Pavllo Bukoviku e deri te Panajot Pano!
Nuk di të them se ç’magji kishte te ai njeri, që të bënte për vete që në momentin e parë të njohjes. Mund t’i thoje fare mirë mësues, ashtu siç mund t’i thoje trajner; mund t’i thoje prind, ashtu sikurse mund t’i thoje shok. Mezi prisja të vinte stërvitja e radhës, sepse çdo ditë mësoje nga një gjë të re prej tij. Edhe pse ishte jo pak larg shtëpisë ku banoja, Fusha e Punës, aty ku ka qenë ekspozita “ Shqipëri Sot”, më dukej veçse dy hapa larg.
Mbaj mend që pa u mbyllur java e parë e stërvitjes, një pasdite nisi një shi i rrëmbyeshëm. Mungesa e veshjeve të përshtatshme, por dhe terreni i kthyer në një gjol, nuk të bënin as ta çoje nëpër mend për të kryer një seancë stërvitore. Por Demneri nuk u kap gafil. Na mori të gjithëve e na futi në një palestër shkolle aty pranë. Atje brenda “sajoi” ushtrime për t’i vënë në punë të gjithë njëherësh, si individë, apo dhe në grupe. Ushtrime që, vite më pas, i kam ndeshur edhe në stërvitjet e basketbollit.
Nuk ndenja gjatë, ngaqë fillova të mesmen dhe aty te Shkolla e Kuqe u njoha me Vaso Shakën, Filip Guraziun, Agim Korbin, Alfons Gurrashin e të tjerë, që nën drejtimin e Abdulla Stërmasit i ishin futur rrugës së basketit. Shoqëria e re, por dhe fakti që shkollën e kisha “në derë të shtëpisë” bënë që të shkëputesha nga futbolli e të nisja një drejtim të ri të karrierës sime sportive.
Edhe pse në basket pata një histori jo pak të suksesshme, asnjëherë nuk kam harruar se ka qenë Xhavit Demneri, ai që injektoi te unë pasionin për sportin në përgjithësi. Ndaj edhe sot e kësaj dite unë i them një faleminderit atij njeriu.
Për shumë vite kam drejtuar skuadra të basketbollit, brenda e jashtë vendit, e po kështu kam punuar edhe për zbulimin e përgatitjen e talenteve të rinj. Kështu që jam në gjendje të bëj edhe një vlerësim real të anës profesionale të Demnerit. Dhe them se, për atë që i ka dhënë futbollit shqiptar, e meriton një lapidar!
Bujar Shehu – Ish futbollist i të rinjve të Tironës, basketbollist i shquar i saj dhe i ekipit përfaqësues, si dhe trajner në Shqipëri dhe Kosovë
Materiali shkëputur nga libri: “Xhavit Demneri Gjithkushi” – 2015, Fatmir Mneri
Publikuar për her t`par online në faqen Tirona. 8 Prill 2017
No Comment! Be the first one.