Tiranasi qe perktheu Kuranin – Nga Rezarta Delisula
Jeta e Hafiz Ibrahim Dalliut
Ai ka qenë një njeri i mbuluar nga harresa, i vuajtur nga përpjekja për të mësuar të tjerët, ndërsa ngadalë, fillon të përmendet gjithkund emri i tij.
Pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit, Elbasanit, Kongresin e Lushnjes, në shpalljen e Pavarësisë, themelues bashkë me Luigj Gurakuqin, Aleksandër Xhuvanin e Sotir Pecin, i Normales së Elbasanit, tiranasi Hafiz Ibrahim Dalliu radhitet ndër njerëzit që janë përpjekur më shumë për arsimimin e shqiptarëve, hapjen e shkollave dhe futjen e shërbesave fetare në gjuhën shqipe. Studiuesi kosovar, Ismail Bardhi, ka shkruar libër mbi figurën e tiranasit titulluar “Hafiz Ibrahim Dalliu dhe ekzegjeza e tij kur’anore”, ndërsa së fundmi janë botuar edhe tri tregimet e Hafizit, “Dokrra hini”, “Grenxat e kuqe të Tiranës” dhe “Një andër e ime”. Po kështu së shpejti do të shfaqet një dokumentar mbi figurën e Hafiz Ibrahim Dalliut, regjizori i së cilës është Xhemal Keçi, ndërsa skenarist Aurel Plasari.
Shkolla e femrave
Hafiz Ibrahim Dalliu ka lindur në Tiranë më 1878. Shkollën fillore e të mesme e kreu në athdhe, ndërsa arsimin e lartë e kreu pjesërisht në Stamboll, pasi familja tij ishte në vështirësi ekonomike dhe nuk mund ta mbante në shkollë. Hafizi filloi punë në Tiranë si mësues në shkollën e parë shqipe dhe ndikoi fuqishëm për hapjen e shkollës së parë për femra po në Tiranë më 1908 nga ku dolën mësueset e para të gjuhës shqipe në qytet. Viti 1909, Hafiz Ibrahim Dalliun e gjen në Normalen e Elbasanit, duke e cilësuar si një nga themeluesit e saj. “Ishim ne Ibrahim Dalliu, Sotir Peci, Aleksandër Xhuvani e unë, që po derdhnim djersën tonë brenda asaj shkolle”. Kështu ka shkruar drejtori i parë i Normales së Elbasanit, Luigj Gurakuqi, me respektin për themeluesit e kësaj shkolle. Më 5 shtator 1908 filloi historia e persekutimit të tij, e cila e ndoqi që nga koha e mbretit Zog e deri në vitet e diktaturës komuniste. Në burgjet e tmerrshme, mësuesit dhe përgatitësit të qindra arsimtarëve, i shkulnin dhëmbët, i vishnin rroba grash dhe në fund e torturonin. Jeta e vështirë solli që burri i mençur tiranas të vdiste në vitin 1952.
Përkthyesi i Kur’anit
Si teolog, njohës i mirë i arabishtes, Hafizi solli Fjalën e Zotit edhe në gjuhën shqipe mes përkthimit të Kur’anit. Kur’ani është përkthyer qysh në vitin 1143 nga një anglez, njohës i mirë i gjuhës arabe e më pas është përkthyer në shumë gjuhë europiane në shumë varjante. Në shqip Kur’ani është përkthyer në shekullin XX edhe pse pothuaj shumica e shqiptarëve recitonin sure të Kur’anit. Përkthimi i parë është bërë nga një kristian, i cili quhej Ilo Mitko Qafzezi dhe është botuar më 1921 në Rumani. Kur’ani i përkthyer nga Qafzezi nuk është bërë nga origjinali në gjuhën arabe, por nga anglishtja e frengjishtja. Kur’ani i përkthyer nga Hafiz Ibrahim Dalliu, është shtypur më 1929 në shtypshkronjën “Ora e Shkodrës” në format 23×15 centimetra. Vepra ishte në formë fletoresh apo fashikujsh, por më vonë u kompletua me kopertinë.
Hafiz Ibrahim Dalliu shënohet në listën e shkrimtarëve, të cilët formuan për herë të parë lidhjen e tyre. Në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve shënohen dy klerikë, Hafiz Ibrahim Dalliu dhe imzot Prendushi, arqipeshkop nga Durrësi. Tiranasi Dalliu, ka qenë publicist e shkrimtar, madje kanë qenë shkrimet e tij të guximshme fillesë e persekutimit shumë vjeçar. Ndërsa në poemat e tij shihet një lloj satire, talljeje me ata që drejtonin keq popullin, ku janë përcaktuar edhe fenomene shoqërore, mes tyre emigracioni, ku faji sipas vargjeve të Dalliut rëndon mbi shtetin, i cili nuk hap vende pune për popullin. Eshtë pra ky njeri për të cilin nuk është folur kurrë ndonjëherë, apo të themi është folur aq pak sa nuk e njohin, teolog, themelues i shkollave shqipe, pjesëmarrës aktiv në jetën politike, përkthyes i Kur’anit.
Gazeta Shqiptare
21 Prill 2002
No Comment! Be the first one.