Vezullimi i ndërprerë i një ylli
Nga: Bedri Alimehmeti “Mjeshtër i Madh”
SKEDA
Datëlindja: 20 gusht 1940 Tiranë.
Roli: Qendërmbrojtës i lirë.
Ekipet ku është aktivizuar: Të rinjtë e Tiranës 1954-1957; Puna e Tiranës 1957-1959; Dinamo 1960-1962; 17 Nëntori 1963-1966.
Me kombëtaren: Luajtur në 9 ndeshje.
Tituj e trofe: Kampion me të rinjtë e Tiranës 1956, 1957; me Dinamon 1960; me 17 Nëntorin 1964-1965, 1965-1966. Kupa e Shqipërisë: Dinamon 1960; Kupa “50 vjetori i Pavarësisë” me Dinamon 1962.
Karriera si trajner: Me grupmoshat e 17 Nëntorit.
Vlerësime: “Mjeshtër Sporti”, “Mjeshtër i Merituar”, “Simbol i qytetit të Tiranës”, “Nderi i sportit shqiptar”, “Mjeshtër i Madh”, “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”
U nda nga jeta: 13 dhjetor 1982
Përjetësimi: Nga viti 2000, qendra stërvitore e FK Tirana mban emrin “Skënder Halili”
Që ka mbetur ikonë në futbollin shqiptar, këtë te gjithë e thonë. Dhe, që e interpretonte qendërmbrojtësin e lirë në ato vite aq përsosmërish, kur nuk ishte zbatuar ende në disa vende me futboll të përparuar, e bëri që vështirë të përsëritet. Që askush nuk i bënte rofeshiatat deri në lartësinë e kokës, këtë e vërtetojnë ende bashkëlojtarët dhe rivalët, sepse ishte i shkëlqyer në luftën e ajrit. Skënder Halili i afronte dhe u jepte kurajë futbollistëve të rinj, dhe ai nuk u dëbua asnjëherë nga gjyqtarët, sepse ishte i thjeshtë dhe i dashur, edhe me tifozët. Ai ishte njerëzor në gjithçka bënte, dhe të gjitha këto cilësi të patjetërsueshme janë të murosura në portretin emblematik të Skënder Halilit, legjendarit të ekipit bardheblu dhe të kombëtares, figura e të cilit teksa vitet kalojnë, merr gjithnjë e më tepër përmasa gati mitike.
Ai ishte djalë i rrugës “Fortuzi”, që në Tiranë etiketohet “maternitet” i futbollit shqiptar. Vetëm duke përmendur emra të tillë futbollistësh të shquar, si Gani Merja, Panajot Pano, Skënder Halili, Indrit Fortuzi e Blendi Nallbani, bindesh për këtë fakt. Fillimisht te kopshti i “Rukes”, më pas te oborri i shkollës “10 Korriku” (sot “Sinan Tafaj”), apo te bulevardi” Zogu I” bashkë me Panajot Panon, Eqerem Casllin, Bujar Hykën, Eshref Demnerin, Astrit Zhordën, Hasan Vocin etj, moshatarë, me të u mbrujt e u kalit talenti i tij si futbollist, modelin e të cilit ai e kishte te dy dajat: Xhaferri e Ganiu, të cilët bënin emër në ato vite. Më pas, thuajse të gjithë bashkë u gjendën te fusha “Puna” (ish-ekspozita Shqipëria Sot), ku nën drejtimin e teknikut Xhavit Demneri u bënë pjesë e të rinjve bardheblu. Aty takuan Osman Memën, Pavllo (Ben) Bukovikun, Luigj Bytyçin, Naim Ballën, Pjerin Perollin, Bujar Kulhekun etj, me të cilët vargëzojnë tituj kampionë. Ndërkohë, viti 1957 e gjen Skënderin në radhët e ekipit të të rriturve bardheblu, ishte koha kur trajneri Alla sapo kishte nisur të ndërtonte atë ekip që do të bënte epokë në vitet ‘60-të. Dhe shumë shpejt do të mbërrijnë sukseset. Më 29 nëntor 1959, 17 Nëntori fiton Kupën e 15 vjetorit të çlirimit, por fill pas kësaj arritjeje, të gjithë futbollistët e rinj që kishim shkëlqyer në atë aktivitet i thirrën ushtarë. Kështu ndodhi me Panon, Bytyçin, Bukovikun e Osman Memën që kaluan te Partizani, ndërsa Halili e Caslli shkuan te Dinamo.
Largimi nga Dinamo, pasoja me një vit pezullim
Nga dhjetori 1959 e deri në dhjetor 1961, Skënderi kontribuoi për Dinamon, me të cilën u shpall kampion dhe fitues i Kupës. Pas përfundimit të ushtrisë, ai kërkon të kthehet, por has në kundërshtimin e drejtuesve të Dinamos, të cilët donin ta mbanin përgjithmonë. Ai nuk pranon e përfundimisht kthehet te 17 Nëntori. “Skënderit, – na ka pas treguar trajneri Myslym Alla, – i bënë shumë presione, madje edhe e kërcenuan që të mos largohej nga Dinamo. Me gjithë shantazhet e vashdueshme ai nuk u tremb, por përfundimisht vendos të kthehet te 17 nëntori, aty ku kishte shokët, të cilët mezi po e prisnin. Nuk do ta harroj kurrë ditën e parë të stërvitjes, kur Halili i madh erdhi tek 17 nëntori. E gjithe skuadra, sapo ai doli në fushë thirri me një zë: “Halili, Halili….”, Skënderi shumë i prekur, i përqafoi të gjithë me radhë plot mall e dashuri vëllazerore”.
Ndërkohë drejtuesit e Dinamos ankohen në FSHF, e cila çuditërisht e dënon me një vit mosaktivizim. Gjithsesi, ai stërvitet intensivisht me ekipin e zemrës. Është momenti kur mbërrin formën më të shkëlqyer si futbollist, falë së cilës bëhet pjesëtar i padiskutueshëm i ekipit kombëtar, që në qershor 1963 merr pjesë për herë të parë në Kupën e Evropës midis Kombeve, në dy ndeshje ndaj Danimarkës 0-4 dhe 1-0. Ndërkohë, me 17 Nëntorin spikat në ndeshjet e Kupës Ballkanike, dhe në sezonin 1964-1965 shpallet kampion i Shqipërisë, titulli i 7-të i bardhebluve, teksa Shqipëria ka nisur ndeshjet në grup për eliminatoret e Botërorit Angli 1966, ku garon me Zvicrën, Holandën dhe Irlandën e Veriut. Në Kupën e Kampioneve, 17 Nëntori eliminohet nga Kilmarnok i Skocisë, 0-0 dhe 0-1, ndërsa në sezonin 1965-1966, bardheblutë shpallen sërish kampion, pas një finaleje dramatike me Partizanin (2-1), duke qenë se e mbyllën kampionatin me pikë të barabarta.
Arrestimi dhe burgosja për dy orë dore
Ishte fundgushti 1966. Në kuadër të përgatitjeve për pjesëmarrje në Kupën e Kampioneve, ku bardheblutë shorti i kishte vënë përballë një ekip relativisht të lehtë, kampionen e Norvegjisë “Oslo 04”, ishin grumbulluar në hotel “Durrësi”. Natën vonë, teksa flinin futbollistët, dëgjojnë zhurmë hapash dhe zëra, dhe kur dalin në ballkon shohin Skënder Halilin që e fusin në një “Gaz-69”. Të nesërmen mësojnë se shokun e tyre të skuadrës e kishin arrestuar. Pas kësaj, nga autoritetet vendase, 17 Nëntori nuk u la të udhëtonte për në Norvegji, çka ju kushtoi dy vite pezullim nga UEFA. Ndodhi kështu, sepse dikush në tregun e zi ishte kapur duke shitur dy orë dore. Ai kishte dhënë emrin e Skënder Halilit, të cilit gjatë kontrollit në shtëpi i gjetën edhe 57 dollarë. Këto përbënë bazën e akuzës, pas së cilës e dënuan me 11 muaj burg (!), kur gjasat më të shumta ishin vetëm për 6 muaj kondicionel (me kusht). Pas kësaj, Skënderi kryen dënim në galeritë e kromit në Bulqizë, ku shëndeti i merr goditjen e parë. Kur u lirua, kishte shumë dëshirë të kthehej sërish në fushë, sepse ishte ende i ri, 27 vjeç. Por, me gjithë dëshirën e drejtuesve, te 17 Nëntori ishte e pamundur. Klubi Flamurtari u përpoq, por nuk ia doli, ndërsa Besëlidhja e Lezhës këmbënguli më shumë. E afroi dhe e trajtoi, madje me fanellën e skuadrës lezhjane arriti të zhvillojë një ndeshje miqësore stërvitore ndaj ekipit kombëtar (0-0), e cila përgatitej për eliminatoret Euro 1968. Dhe vetëm kaq.
Kalvari i jetës së vështirë, pjesë e paradokseve të kohës
Pas kësaj kthehet në Tiranë, ku punon në NRSH “17 Nëntori”, dhe në fushat e futbollit shfaqej vetën në kampionatin lokal të ndërmarrjeve, ku vetëm për të parë atë, numri i shikuesve ishte tejet i madh. Nën kujdesin e klubit “17 Nëntori”, Skënder Halili kreu një kurs për trajner dhe pas kësaj u mor me përgatitjen e futbollistëve të grupmoshave. Nga duart e tij dolën emrat e njohur, si Astrit Ramadani, Krenar Alimehmeti, Florian Riza, Ilir Daja, Fation Kepi, Fatos Daja etj. Kjo gjë i dha shumë kënaqësi, por sëmundja e rëndë e mposhti. Më 13 dhjetor 1982, vetëm 42 vjeç, Skënder Halili u nda nga jeta. Duke lënë në pikëllim bashkëshorten Fatmira, dy djemtë Edi e Denis dhe vajzën Belma ende motake, që sapo kishte nis t’I thoshte babi. Dhimbjen për humbjen e tij e ndjeu opinioni sportiv i gjithë vendit, ndaj atë ditë të largët dhjetori, kortezhi i përmortshëm që e përcolli për në banesën e fundit, dukej i pambarimtë. Por, është për të ardhur keq, që përpara atij varri nuk u mbajt e nuk u tha asnjë fjalë. Edhe ky fakt bënte pjesë në paradokset e asaj kohe të mbrapshtë.
Fat i ngjashëm
Një fat të tillë të ngjashëm me të Halilit pati pësuar në fund të viteve 50-të edhe futbollisti i shquar i “Torpedo” të Moskës dhe i kombëtares së BRSS, Eduard Strelcov (1937-1990) një nga sulmuesit më të mirë në historinë e futbollit rus. Për një akuzë të pabazuar u dënua më 1958 me heqje lirie dhe u syrgjinos në një nga Gulagët e Siberisë. Por ndryshe nga Halili ai u rihabilitua, luajti me Torpedon edhe me kombëtaren sovjetike (38 ndeshje 25 gola) fitues i medaljeve te arta në Olimpiadën e Melburnit (1956), po nuk luajti në finalen e turneut sepse në ato vite refuzoi të kalonte tek dy klubet ushtarake të Moskës, “CSKA” e Ushtrisë së Kuqe dhe “Dinamo” e KGB, duke mos u larguar kurrë nga skuadra “mëmë” “Torpedo” e Moskës, ç’ka i kushtoi edhe mos marrjen e medaljes së këtij turneu. Jo më kot thonë, përkimet në historitë e njerëzve janë të çuditëshme edhe pse protagonistët e ndodhive të njejta kanë jetuar shumë larg njëri tjetrit në vende të ndryshme, ndaj ato të befasojnë edhe më shumë me ngjashmëritë mes tyre.
Shkrimi i vitit 2022, nga miku jon i paharruar Bedri Alimehmeti
No Comment! Be the first one.