Me këtë emër dhe me të tjerë si ai, Tirona ka provuar lidhjen e harmonishme e të vazhdueshme ndërmjet sportistit dhe intelektualit. I njohur si mjek dhe shkencëtar i madh, më parë ai ka luajtur futbollin, madje duke hyrë në histori si njëri ndër kampionët e parë të Shqipërisë. Lindi në Tironë më 21 mars 1912 dhe vdiq po në Tiranë më 23 shkurt 2001.
Prof. Dr. Shefqet Ndroqi la pas vetes veprën e shquar të tij, për të cilën, i vlerësuar njëherazi nga opinioni dhe nga mjediset zyrtare, edhe Spitali Universitar i sëmundjeve të mushkërive ka tani emrin e tij.
Dashuria për fizkulturën dhe sportin iu fut që fëmijë. Moton “Mens sana in corpore sana” e respektoi pa ndërprerje, që nga lufta kundër duhanit e deri te ruajtja e ambientit dhe jeta e rregullt.
Me eskursione dhe alpinizëm në malin e Dajtit, mori pjesë në Shoqatën e bojskautistëve të qytetit, ndërsa me lojrat e futbollit e të volejbollit, në atë “Frymë e re” të gjimnazit. Talentet e shkollës së tij, ku luanin edhe J. Dashi, A. Shehri e të tjerë, ato të shkollës teknike e të shoqërive të tjera, bënë bazën e skuadrës së SK ”Tirona”, që më 1930 mori pjesë në kampionatin e parë kombëtar.
Në një shkrim të kohës, Shefqeti ka treguar për kushtet e vështira të stërvitjes, por dhe për ndihmën e kontributet e dyqanxhinjve dhe tregtarëve.
Me sistemin WM, që luhej në atë kohë, ai ishte në detyrën e një prej mesfushorëve të përparuar të skuadrës. Që të gjithë këta të rinj të sakrificës, autoktonë dhe joautoktonë, dhanë gjithshka për qytetin e tyre. Çasti më kulmor i kampionatit, ku morën pjesë vetëm gjashtë skuadra, ishte ai i datës 22 qershor të vitit 1930, kur, të gjithë, të mbledhur në fushën e Shallvares, festonin gëzimin e fitores së parë.
Me më shumë fitore të tjera që erdhën pas saj, Sport Klub ”Tirona” u bë klubi më i suksesshëm dhe më i lavdishëm në Shqipëri. Kampionatin e dytë, Shefqeti nuk arriti t’a përfundojë. Ai largohet prej futbollit, sepse i dëmtuar rëndë në gjurin e djathtë me lezion të meniskut, vazhdoi të aktivizohet edhe në disa takime.
Por, duke mos dashur t’a braktisë fare atë, kreu një kurs për gqutar, çka e aplikoi në disa ndeshje. Më 1933, shkoi për studime në Francë.
Tironën e tij e ndoqi në stadium deri në vitin 1965. Kujtonte gjithnjë me nostalgji dy momente: të parin, kur goditi topin e hapjes së kampionatit, më 1960, dhe të dytin, kur në ndeshjen përkujtimore të 65 vjetorit të klubit, më 1985, megjithëse 73 vjeç, luajti plot dëshirë për rreth 15 minuta dhe madje si kapiten i skuadrës së veteranëve.
No Comment! Be the first one.