10 vjet mo par, më 24 shkurt 2014, u nda nga jeta Osman Reçi (1930-2014), “Mjeshtër i Sportit”, “Nderi i Qytetit të Tironës”. Faqja Tirona e kujton me nderim e respekt.
Ka lindur më 26 prill të vitit 1930 në një familje të hershme të Tiranës. Sipas arsimit të tij të mesëm profesional, duke punuar me këtë profesion, prej ekonomisë së atëhershme shtetërore e deri në ate private të sotme, ka ushtruar gjithnjë detyrën e teknikut për pajisjet elektroshtëpiake.
Me futbollin, të cilin e ka parë si ëndërr dhe objektiv për kënaqësinë e tij, është marrë që në moshë të vogël, nga topi i leckës dhe deri në atë sportiv.
Në moshën 17 vjeçare, Osmani ka zhvilluar ndeshjen e parë zyrtare, në kuadër të kampionatit kombëtar të kategorisë së parë të futbollit. Në përbërje të KS ’17 Nëntori” të Tiranës (sot KS ‘Tirana’), kundër “Teutës” së Durrësit, u aktivizua suksesshëm në rolin e sulmuesit. Duke u renditur vazhdimisht në vende nderi, me Tiranën, Osmani ka zhvilluar me dinjitet mbi 300 ndeshje zyrtare të kampionatit dhe të kupës.
Për kualitetet e tij teknike dhe fizike dhe si një lojtar i sulmit bëhesh problem për mbrojtjet
kundërshtare. Falë edukatës dhe qytetarisë së tij, si dhe personalitetit që kishte krijuar, për shumë vite, Osmani mbajti edhe detyrën e kapitenit të skuadrës, të cilën, si timonier i mirë e ka drejtuar me pjekuri dhe seriozitet në çdo situatë loje. Për dy vjet radhazi (1951-1952), kur kryente shërbimin ushtarak, ka qenë dhe pjesë e KS Partizani”.
Me dy ekipet e mësipërme, si dhe me “Vllazninë” e Shkodrës dhe “Flamurtarin” e Vlorës (i thirrur për ndihmë), ka zhvilluar disa ndeshje ndërkombëtare të futbollit, si p. sh., ato ndaj “Krahët e Sovjetëve” të Kujbishevit, “Levski” i Sofjes etj..
Megjithate, më të spikatura janë ndeshjet e Spartakiadës së Ushtrive të Lindjes që u zhvilluan në Sofje të Bullgarisë, ku duke luajtur kundër ekipeve me emër si: ‘Honvedi” i Budapestit, ‘CÇDNA” e Sofjes etj., bëri paraqitje mjaft të mirë. Osmani ka qenë edhe pjesëtar i ekipit kombëtar të futbollit në ndeshjet për Festivalin Botëror të Rinisë, të zhvilluar më 1955 në Varshavë të Polonisë.
Kontributi sportiv i tij është i njohur edhe në rolin e trajnerit. Me nivelin e tij të admirueshëm, të shprehur përmes bagazhit sportiv dhe formimit të plotë që e karakterizon atë, për tetë vjet radhazi, ka përgatitur futbollistë të grupmoshave të ndryshme në Pallatin e Pionierit, duke e nxjerrë atë edhe kampion të spartakiadës së pionerëve. Shumë prej këtyre fëmijëve u bënë më vonë lojtarë të kategorisë së parë.
Për merita në pune dhe në sport, ai mban edhe Medalje të Punës, Medaljen “Në Shërbim të Popullit” dhe titullin “Nderi i Qytetit të Tiranës”.
U nda nga jeta më 24 shkurt 2014, faqja Tirona e kujton me nderim e respekt.
—
Burimi info: Shoqata Tirana, Tirana Personalitete “Sport”, faqe 116, nga Prof. Shyqyri Rreli & Prof. Ismail Demneri.
No Comment! Be the first one.