Lindi në Tiranë më 21 dhjetor 1921 nga një familje e madhe dhe e mirënjohur e kësaj treve. I ati, Lufta bej Stermasi, siç e thërritnin atë, një fermer i njohur, megjithëse prind me shumë djem e vajza, u përpoq që secilit t’i jepte arsim dhe kulturë. Rremziut (kështu e thërritnin dhe e thërrasin dhe sot Muharremin), fati i rezervoi një lidhje të gjatë e cilësore të tij me arsimin dhe kulturën bashkohore europianoperëndimore.
Mesimet e para i nisi në vendlindje për të mbyllur në Paris tre vitet e fundit të nivelit të ulët të këtij shkollimi. Nën kujdesin dhe dashurinë e vazhdueshme të dajave të tij (Qazim e Hysni Mulleti), atje përfundoi me sukses kolegjin ”Sante Barbe”. Ishte viti 1936, kur kthehet në Shqipëri për të
përfunduar arsimin e mesëm, çka me mjaft sukses e kreu në Liceun e Korçës më 1939.
Duke ndjekur këshillën e të jatit dhe duke zgjedhur drejtimin për enologji dhe vitikulturë, ai filloi menjëherë studimet e larta në Fakultetin e Agronomisë të Universitetit të Torinos, ku në vitin 1944, mori titullin “Agronom i lartë”. Gjithçka u bë e mundur falë ndihmës së pakursyer të familjes dhe një burse dyvjeçare të akorduar nga shteti shqiptar për maturantët me rezultate të shkëlqyera. Nga arritjet në mësime dhe nga ndihma e konsullit të Shqipërisë në Torino, Ministria e Jashtme Italiane, i akordoi atij bursë edhe për vitet e mbetura deri në përfundimin e studimeve.
Në Shqipëri, aktiviteti i tij nis me mbarimin e luftës. Deri në vitin 1963, ishte specialist në Ministrinë e Bujqësisë; ndërsa gjatë periudhës 1963 deri më 1967, agronom përgjegjës në Komitetin Ekzekutiv të Qarkut të Tiranës. Detyra më e rëndësishme që i ishte ngarkuar Rremziut në atë kohë ka qenë angazhimi i tij në ngritjen dhe organizimin e kooperativave bujqësore sidomos për lokalitetet e Shëngjergjit, Ndroqit e Gurrës. Me ndershmërinë dhe me përgjegjësinë e lartë që e karakterizon atë, ai ishte i palodhur në këtë detyrë. Aq i njohur dhe i afërt ishte Rremziu në këto fshatra sa edhe
sot nuk ka person në moshë që të mos e kujtojë me shumë respekt dhe të mos vlerësojë karakterin dhe punën e kryer prej tij.
Ky kontribut i pamohueshëm i dhënë i tij në rrethin e Tiranës nuk mund të mos shpërblehej as nga shteti i atëhershëm. Kuvendi Popullor i ka dhënë Rremziut më 1962 medaljen e Punës, me motivacionin ”Për kontributin palodhur në krijimin dhe organizimin e kooperativave bujqësore”.
Falë nivelit të lartë shkencor e profesinal, në vitin 1967, atë e emëruan “bashkëpunëtor shkencor” në Institutin e lartë bujqësor, ku, përsëri me shumë përkushtim, punoi deri në vitin 1975.
Fillimi i luftës së klasave do t’a bënte të veten, atë e hoqën prej andej për shkaqe biografike dhe e çuan brigadier në fidanishten e frutave të ndërmarrjes bujqësore ”17 nëntori” të Tiranës, ku punoi deri më 1981. Megjithate, këto qëndrime të politikës së atëhershme, ai i kishte ndjerë edhe më parë. Rremziut, këtij njeriu të afrueshëm, shoqëror dhe shumë të dashur (si dhe të tjerëve që kishin studiuar jashtë shtetit), prej andej i vinin letra dhe kartolinaderi gjatë viteve ’50-të. Por, shteti totalitar komunist, në mënyrë absurde nuk mundësonte komunikimin dhe lidhjen me shtetas të huaj, si dhe dhënien e lirë të përgjigjeve (postat hapeshin).
Më pas, deri kur arriti moshën e pensionit në vitin 1986, për shkak të meritave, të aftësive dhe të përvojës së tij në implementimin e teknikave bashkohore e sidomos për mbjelljen e kultivimin të farërave cilësore të drithrave, ai u vlerësua nga drejtuesit e bujqësisë së rrethit. Me këto motive, ai ishte bashkëpunëtor shkencor në sektorin eksperimental të ndërmarrjes bujqësore “17 nëntori” në Tiranë. Shumë prej farërave dhe kulturave të drithërave që rriten deri tani në Shqipëri janë frut edhe i punës së tij.
Ky bir i familjes Stërmasi, një nga themelueset dhe bartëset e vlerave të larta të qytetarisë dhe fisnikërise tiranase, edhe pse në pension prej më shumë se 20 vjetësh, sot, ndjehet krenar. Lodhja, stërmundimi, përkushtimi deri në vetëmohim, për shumë dekada të karrierës së tij në bujqësi, i kanë dhënë emër të mirë e të merituar. Tani, ai është në plejadën e artë të agronomëve të Tiranës e të krejt Shqipërisë./Shoqata Tirana
No Comment! Be the first one.