Më 6 shkurt 1916, lindi në Tironë Halim Begeja (1916-1977), futbollist, jurist, dhe nacionalist i shquar, faqja Tirona e kujton me nderim e respekt
Ka lindur më 6-2-1916 në një familje të hershme qytetare e intelektuale tiranase. Shkollën e mesme e kreu në gjimnazin e Shkodrës. I ati i tij, avokat i njohur, mik i patriotëve të shquar si F. Noli, O. Myderizi, R. Jarani, S. Kadiu etj., ndikoi te i biri. Si atdhetar i nderuar dhe i bindur pas nacionalizmës, Halimi, i cili tërë jetën ja kushtoi çeshtjes madhore të ribërjes së Shqipërisë, vdiq në ShBA më 17-1-1977, ku ishte emigrant politik.
Sporti i futbollit ka qenë pasioni i tij jashtëshkollor. Intelekti, konstrukti fizik, shpejtësia, vullneti dhe prirja e lojtarit të mirëfilltë sulmues ishin karakteristikat kryesore të cilat që në moshën 15 vjeçare e bënë ate pjesëtar aktiv dhe të padiskutueshëm në formacionin e ekipit të madh të futbollit, SK “Tirana”.
Në përbërje të tij, bashkë me A. Karapicin, E. Hajnalin, Gj. Sabitin, J.Dashin, Kosovën, V. Kajanën etj., ai fitoi titujt kampion të Shqipërisë, për vitet 1931 dhe 1932. Vlerat e tij futbollistike janë evidentuar me shkallë të larta nga specialistë dhe gazetarë të kohës, vendas e të huaj. Halimi gëzonte shokët e skuadrës dhe sportdashësit e tij jo vetëm me veprimet e sakta tekniko-taktike dhe si golshënues i dalluar, por edhe për sjelljen e tij të kulturuar. Ai ishte “zjarrfikësi” i çdo mosmarreveshje mes skuadrave apo të tyre me gjyqtarin.
Për vlerat cilësore të lojës së tij flasin të gjitha ndeshjet ndërkombëtare të zhvilluara prej tij me SK “Tirana”, megjithëse të karakterit miqësor, siç ishin ato me Malin e zi, Dubrovnikun, Kotorin, Manastirin, Barin e Italisë, lraklisin dhe Kavallën e Greqisë etj..
Pika kulmore e karrierës së tij sportive ishte 12 marsi i vitit 1936, dita kur u përurua ekipi i parë kombëtar shqiptar i futbollit me Halimin si pjesëtar të patundur të asaj njëmbëdhjetësheje. Trajneri i parë që krijoi këtë skuadër, hungarezi Samu Singer ka thënë: “gjimnazisti Begeja nuk mund të tundet nga krahu i majtë, ku e kërkon kombëtarja”.
Pjesëmarrja e gjallë e tij në jetën politike të vendit nuk e shkëputi përfundimisht Halimin nga sporti e nga SK “Tirana”. Lëvizja futbollistike e asokohe, nga ai konsiderohej si një shfaqje e luftës kundër fashizmit dhe, në këtë sens, ishte nga më aktivët. Ai qe një nga nismëtarët për rimëkëmbjen dhe gjallërimin e SK “Tiranës” pas pushtimit italian dhe, për këtë, u zgjodh këshilltar i komitetit drejtues definitiv sportiv. Me rolin e tij, ai ndikoi ndjeshëm në fillimin e aktiviteteve sportive të klubit të Tiranës, madje në nivel kombëtar.
Burimi: Shoqata Tirana
No Comment! Be the first one.