Kualifikimi i bujshëm me Dinamon e Bukureshtit
Nga Bedri Alimehmeti & Bektash Pojani
Padyshim eleminimi i “Dinamos” së Bukureshtit në turin e parë të Kupës së Kupave nga Tirana, si dhe ai i “Partizanit” të Beogradit në Kupën UEFA prej “Flamurtarit”, mbeten kualifikimet më historike të ekipeve tona në kupat e Evropës. i pari ka vlerë të dyfishtë, pasi u arrit pas dy fitoresh. Por si e arritën tiranasit këtë sukses?
Në 17 shtatorin e vitit 1986, fituesja e kupës së Shqipërisë FK Tirana, u vu përballë fitueses së kupës së Rumanisë, Dinamo e Bukureshtit me këtë formacion: Mersini, Baçi, Hodja, Lekbello, Bimo, Liti, Josa, Omuri, Muça, Minga e Kola. Edhe Dinamo nga ana e saj aktivizoi nw 11- shin e vet futbollistët më të mirë. Katër lojtarë të saj Morau, Redniçi, Balaçi e Kamataru ishin të formacionit bazë në përfaqësuesen rumune.
Qysh në fillim të lojës u lexua qartë taktika e kundërshtarit, mbrojtje e fuqishme me shumë forca në kundërsulmin e shpejtë. Skuadra jonë nga ana e vet iu kundërvu me sulmin e saj karakteristik të fuqishëm. Gjatë pjesës së parë patën raste shënimi Muça, Kola, Josa, Minga e Omuri. Rumunët u përgjigjën në tri raste me Kamataru, Balaçi e Mihalesku.
Pjesa e dytë sërisht pati si protagonist lojtarët e Tiranës. Loja e tyre pati frymëmarrje më të madhe, sidomos kur fuqizohej njëherësh nga disa lojtarë që sulmonin në tërë gjerësinë, pa humbur thellësinë. Krahas Mingës e Kolës, shpesh në mes futej Muça, në të majtë Josa, e në të djathtë Liti apo Omuri. Kjo mënyrë loje solli mjaft pështjellim në mbrojtjen kundërshtare. Por goli megjithatë nuk po dukej, megjithëse Minga e Kola patën përsëri raste shënimi. Gjatë kësaj pjese sulmi rumun pothuajse e humbi fare forcën goditëse. Kjo për meritë të mbulimit të rreptë të mbrojtësve Baçi, Hodja, Lekbello e Bimo. Mesfusha u vu plotësisht nën këmbët e bardhebluve, ku ra në sy veçanërisht loja e shkëlqyer e Josës. Ndërkohë me kalimin e minutave mbërrijmë thuajse në limitet e kohës së rrregullt kur kishin mbetur edhe katër minuta lojë, është e 86-ta minuta ajo që e kishte fshehur në vetvete golin e shpresës së madhe.
Gjuajtja kros e Baçit i kalon mes këmbëve portierit Morau, e Kola pranë me një mgoditje të rrufeshme përshëndet rrjetën. Gëzimi është i ligjshëm si në fushë ashtu edhe në shkallët e stadiumit të mbushur plot. Bardheblutw fituan një ndeshje që duhet ta kishim të paktën me një gol më shumë. Përfundimisht 1-0 me meritë. Gjithçka mbetej të vendosej pas dy javësh në Bukuresht. Ndeshja e kthimit. Minuta e dytë e lojës, kombinim i saktë Kola-Minga e ky i fundit e përcjell qetësisht topin në rrjetë. Pas kësaj një pështjellim i pazakontë që do të zgjaste gjatë në radhët e Dinamos së Bukureshtit. Megjithse më saktë do të qe të thonim që ky ishte një “shok” psikologjik i rëndë për ta. Ndërkohë nga ana tjetër lojtarët e Tiranës fituan mjaft lirshmëri në lojë. Kështu portieri Mersini ndjeu siguri më të madhe, kur sheh se ka para vetes Baçin, Hodjen, Lekbellon, Bimon e Alimehmetin, të cilët nuk lënë asnjë shteg të lirë. Edhe mesfusha është mjaft e fuqishme, me Omurin, Josën e Muçën, që shpesh u këmbye me Kolën, për t’i ardhur në ndihmë Mingës në sulm. Pjesa e parë u mbyll me dy raste të rrezikshme të Kamataru e Balaçi, të cilët u neutralizuan mjaft mirë prej Mersinit.
Edhe në pjesën e dytë sutuata nuk ndryshon. Rumunët sulmojnë dëndur e me shumë forca, e tiranasit mbrohen në mënyrë efikase. Në minutën e 62-të, Muça, pasi vallëzon mes mbrojtësve rumunë duke shmangur tre prej tyre, gjuan fort në të hyrë të zonës, por vetëm shtyllë. Kur mbërrin minuta e 82-të pas një momenti pasigurie të mbrojtjes sonë, blutë e Bukureshtit shënojnë golin e barazimit me autor Kamataru. Por tashmë është shumë vonë, teorikisht Dinamo është e eleminuar. Dhe si për të vulosur përfundimisht këtë gjë, Muça tri minuta më pas ndërmerr sërish një aksion tjetër përsonal, por, pasi shmang dy mbrojtës ndodh tragjedia. Redniç ndërhyn dhumshëm ndaj tij, e teksa e sheh se çka bërë, vë duart në kokë e largohet i lebetitur. Muça dërgohet urgjent në spital.
Ky dëmtim i rëndë qe vërtet fatal për një futbollist tejet të talentuar si Shkëlqim Muça, ngaqë i afroi shpejt fundin e karrierës si futbollist. Ndërkohë atë që nuk e bëri dot Muça, e realizoi në mënyrë të përkryer Josa, një minutë para mbarimit, duke shënuar golin e dytë, atë që vulosi përfundimisht fitoren e bardhebluve, 2-1. Atë natë, rrjetet televizive perendimore do të shpreheshin: “kjo është mbrëmja e madhe për futbollin shqiptar”. Vite më vonë duke rrëfyer rreth asaj ndeshje trajneri Enver Shehu do të shprehej: “Nuk e harroj kurrë. Kemi përjetuar një mbrëmje të paharruar, i gjithë Bukureshti ishte me ne. Tifozë të Steaos e të Rapidit, të gjithë u bënë me Tironën.
Na duartrokitnin e na përshëndetnin me shumë dashamirësi”. Por nuk mbaron këtu. Një ditë më pas, “tërmetit” tiranas që lëkundi stadiumin e Dinamos së Bukureshtit, do t’i gjindeshin viktimat tjetërkund. Me urdhër, u shkarkuan nga Minstria e Punëve të Brendshme tri gjeneralë, e bashkë me ta edhe trajneri i mirënjohur e Dinamos e përfaqësueses rumune, Luçesku. E gjithë kjo mrekulli e bardhebluve, ndodhi më 1 tetor 1986.
No Comment! Be the first one.