Jorgji Kona ka lindur më 23-2-1932 në një familje zanatçish tironas. Eshtë diplomuar ”inxhinier elektrik” në Universitetin Shtetëror të Tironës, pasi kishte ushtruar më parë profesionin e teknikut (radio dhe tv).
Sportin, si të gjithë bashkëmoshatarët e lagjes e të shkollës, e nisi me futbollin. Në këtë sport, mësuesi dhe trajneri i mirënjohur, A. Karapici, përfshiu edhe Xhoxhin, madje deri në ekipin e shkollës. Por, ai u dallua jo atje, por sidomos në ndeshjet e basketbollit e të volejbollit. Ishte vetëm 15 vjeç kur u aktivizua në basketboll me skuadrën e të rriturve të KS “Tirona”, me të cilën ka fituar tri herë titullin kampion (1948, 1949, 1950).
Si sportist cilësor, u aktivizua njëherazi edhe në “volejboll (çka në ato vite lejohej). Rritja në moshë ngriti edhe cilësinë sportive të tij. Xhoxhi përfshihet në planet e KS “Partizani” (siç merreshin edhe sportistët e tjerë më të mirë të Tironës). Si lojtar titullar, në basketboll, ai fiton me ndërprerje gjashtë tituj kampion kombëtar (1951-1958).
Në volejboll, duke luajtur në rolin e pasuesit, po me ndërprerje, nëntë të tjerë (1952-1963). Ai ka fituar edhe tri herë kupën e Republikës. Në 18 vjet të aktivitetit të tij në kategorinë e parë, me klubet sportive “Tirona” dhe “Partizani”, për basketbollin dhe volejbollin, ka rregjistruar në total qindra ndeshje zyrtare.
50 ndeshjet ndërkombëtare të zhvilluara prej tij, brenda dhe jashtë vendit, tregojnë pjesëmarrje aktive të ]orgjit edhe në ekipet kombëtare të basketbollit dhe të volejbollit. Ato nisin më 1948, kur ai ishte 16 vjeç dhe kur në Sofje u zhvillua kampionati europian.
Për t’u shënuar janë edhe ato kundër ekipeve kombëtare të Bullgarinë e të Rumanisë; kampionati evropian i volejbollit zhvilluar në Sofie (1955), ku arrihet vendi i dhjetë; festi- vali i rinisë në Varshavë (1955), në të cilin zihet vendi i shtatë etj..
Jorgji kujton me nostalgji, ndër të tjera, ndeshjet miqësore të basketbollit me CSKA” e Moskës në Tironë (1956); Festivalin e Rinisë në Moskë (1957), me medalje argjendi; kualifikimet për kupën e kampioneve ndaj “Blan Geld” të Austrisë (1961) dhe ekipit finlandez (1955); një turne në Kinë me ekipin kombëtar të volejbollit (1962); Spartakiadën e Ushtrive të Bllokut të Lindjes (Tironë 1963), me trajner vëllanë e tij, Andonin etj.. Gjithnjë i shquar për mirësjellje, aktualisht, jeton në Izrael bashkë me familjen e tij.
Aktiviteti i Jorgji Konës është vlerësuar me Urdhërin “Naim Frashëri” të klasit II dhe me titullin “Nderi i Sportit Shqiptar”.
U nda nga jeta në qershor të vitit 2009 në moshën 77 vjeçare. Faqja Tirona e kujton me nderim e respekt.
Burimi: Shoqata Tirana
No Comment! Be the first one.