Puna e fiorentinit Gherardo Bosios në Tironë është një akt heroik i paprecedent; përveç planeve urbanistike, vetëm në Tironë ai realizoi Universitetin, Akademine e Arteve, Kolonadën me Institutin Arkeologjik, Stadiumin (sot Qemal Stafa), Kryeministrinë, Hotel Dajtin, Pallatin e Brigadave me gjithë parkun e mobiliet unike të tij, si dhe skicoi trajtat planivolumetrike të Pallatit të Kulturës, Muzeut Kombëtar etj.
Vështirë se mund të gjendet në krejt historinë e arkitekturës botërore një aktivitet më intensiv dhe realizime më të mëdha se ato që Gherardo Bosio zhvilloi në Shqipëri vetëm për një vit e gjysëm.
Ai u shpreh gjithmonë se e donte shumë Tironën e vjetër, ky është motivi që Bosio në projektimin e Planit Rregullues të Tironës propozonte që të ruhej krejtësisht bërthama e vjetër e qytetit “për të mos humbur gjurmët e qytetit të vjetër”, dhe Tirona e Re ndonëse projektohej me kritere perëndimore duhej të ruante në tërësi dhe të fuqizonte me impaktin e saj karakterin e brishtë të “qytetit kopësht”, të cilin për arsye social-historike Tirona për fat e kishte.
Veç Tironës, pa humbur kohë ai filloi drejtimin e punës për planet rregulluese të Shkodrës, Milotit, Durrësit, Elbasanit, Korçës, Beratit, Vlorës e Sarandës, duke u përqendruar më së tepërmi në ato të Vlorës dhe Elbasanit.
Për fat të keq këto plane, shpesh tepër të detajuara, jo vetëm nuk u zbatuan, por u harruan qëllimisht. Etiketa absurde “arkitekturë fashiste” penalizoi jo vetëm ndërtesat e realizuara, por edhe idetë revolucionare të Bosios në urbanistikë dhe u çensurua pa kuptim studimi i tyre në Universitet.
Përsa jetoi regjimi, qe e ndaluar që brezat e arkitektëve të rinj të dinin përsenë e kapërcimit kulturor që Bosio i bëri Brasinit, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” kapërcim që la pas citimet dhe stilet manieriste apo të rilindjes europiane për tek linjat e pastra të një racionalizmi reduktivist.
Për dhjetëvjeçarë të tërë vepra e arkitektëve italianë në Shqipëri, por veçanërisht ajo e Bosios u la në “shêjtninë e vet” duke mbërritur në një degradim të skajshëm deri ditën kur projekti “Kthim në Identitet” do t’i vinte ato nën vëmendjen e opinionit.
Burimi: Gazeta Mapo – Artan Shkreli
No Comment! Be the first one.