Botim i vitit 2023 me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Dr. Bajram Prezës
Të shkruash dhe të përmbledhësh në një artikull jetën e Prof. Bajram Prezës, në këtë 100 vjetor të lindjes së tij, nuk është aspak e lehtë. Këtë shkurt ai do të mbushte fiks 100 vjeç. Ai ishte një ndër neuropsikiatrit e parë të vendit, një pedagog vizionar, drejtues klinike dhe katedre, kryeredaktor revistash, botues i mjaftë librave dhe artikujve. Po paraqesim disa nga shtyllat e veprimtarisë në disiplinën shkencore, së cilës i kushtoi gjithë jetën, mbi 50 vjet.
I-PASIONANT DHE KËMBËNGULËS PËR SHKENCEN
Ai i nisi studimet e larta në Sarajevë dhe i përfundoi në B. Sovjetik(1953) me rezultate të larta. Gjatë gjithë kohës librat nuk i hiqte nga duart dhe lexonte në italisht, rusisht, anglisht, frëngjisht etj. Apartamenti i tij i ngjante një biblioteke më vete me lloj-lloj botimesh monografike, revista shkencore, libra artistike, dorëshkrimesh e vëzhgimesh klinike. Dijet e shumta që zotëronte, kurrë nuk i mbajti për vete. Ai i transmetonte tek të tjerët, madje dhe duke i nxitur edhe studentët për punë shkencore, pale mjekët si në Tiranë e në rrethe për të mbrojtur tema doktorature. Jo pak prej tyre arritën deri në nivelin e profesorit në mjekësinë teoriko-praktike dhe drejtuese, si : Profesoreshë Drita Totozani, Prof. Mentor Petrela, Jera Kruja, Mira Rakacolli etj. “Mjeshtëria më e lartë e një mësuesi,- nënvizonte A. Ajnshtajni, – është të zgjojë tek nxënësit, – gëzimin për njohuritë e reja dhe puën krijuese.”
II- DREJTUES I PËRKUSHTUAR DHE I PALODHUR
Përveç punës së përditshme klinike si në Tiranë dhe në rrethe, ku e kërkonin shpesh, ai konsiderohet themelues i klinikës së neurologjisë në Shqipëri dhe ka qenë shefi i parë i saj e më pas i katedrës së neuropsikiatrisë për dekada me radhë. Shënojmë se prof. B. Preza ishte anëtar dhe kryeredaktor i Buletinit të Shkencave mjekësore, kryeredaktor i mbi dhjetë punimeve të serialit të neurologjisë, psikiatrisë dhe neurokirurgjisë, si edhe pjesëmarrës në grupin e përkthyesve të veprës së Harrisonit, etj.
Prof. Preza që më pas mori titullin e lartë të Akademikut, ishte zgjedhur anëtar nderi i Shoqatës së Neurologëve të Francës(1989) anëtar i Komitetit të Federatës Europiane të kokëdhëmbjeve dhe migrenës. Në biografinë e tij shënohet se prof. Preza ishte i pari që mbrojti temën e doktoraturës në vitin 1958, me “Polineuritet sulfanilamidikë”.
III-Pedagog dhe lektor me nivel të lartë
Për shumë dekada duke aktivizuar edhe mjekë të tjerë, si: Jani Avrami, Hysen Baboçi, Ali Kuqo, Luljeta Lleshi etj, dha lëndën e Neurologjisë, si edhe praktikat mësimore me studentët. Ai organizonte përvit sesionet shkencore në katedër me studime nga përvoja e specialistëve nga e gjithë Shqipëria; po ashtu, mbasditeve zhvillonte rrethe shkencore me studentët që dëshironin të zgjeronin më tej njohuritë. Bukur është shprehur fizikani A. Ajnshtajni: “ studenti nuk është një kasetë për t’u mbushur, por një pishtar për t’u ndezur.” Shumë nga këta studentë ngjitën shkallët në sferën akademike dhe drejtuese, si Nestor Polimeri, Mentor Petrela , Jera Kruja etj. Profesori përsëriste shpesh shprehjen latine “Doctus cum libro” (I ditur me libra), kur vetë jepte shembullin i pari. Kështu neuropsikiatria pati më tepër mjekë që u përfshinë në veprimtaritë e mësipërme, duke çarë me guxim në ravat e vështira të shkencës. Të tillë duhet të jetë mjekët në misionin e tyre. Është e plotkuptimshme që në disa shtete, kandidatët për mjekë rekomandohen qysh nga fillorja. Po mjekësia nuk është statike, ajo është në zhvillim të pandërprerë. Shkrimtari Marsel Prust arrin të na thotë “Dijet në mjekësi duhen rinovuar çdo pesë vjet.”?
Për pedagogjinë, taktin dhe etikën pedagogjike me studentët, për një punë sa më frytdhënëse dhe racionale, profesori pati një dhunti të veçantë dhe merak gjithashtu. Një herë na parashtroi disa nga tezat dhe kapitujt e një libri për çështjet e mësipërme, si edhe për higjienën e punës mendore, që donte ta përfundonte me sukses…
IV-BOTIMET E SHUMTA SHKENCORE
Mund të themi se ndoshta është i vetmi pedagog i Fakultetit të Mjekësisë që ka botuar më shumë libra (madje të vëllimshëm), shkrime shkencore, refleksione të ndryshme në gazetat dhe revistat e kohës. E nisi me “Polineuritet Sulfanilamidikë”(1961) me 370 burime literature në disa gjuhë, “Semiotika e sëmundjeve nervore” (1964), ku citon 600 autorë, “Toksikologjia klinike”, (1973) me mbi 700 faqe, me 1040 referime, “Encefalografia klinike”, “Atlasi i Neurologjisë klinike” (me bashkautorë kryesorë: Hysen Baboçi, Ali Kuqo etj), tekste të ndryshme të neurologjisë për studentët dhe mjekët(së toku me pedagogët e asaj lënde), me punime neuropsikiatrike dhe neurokirurgjike në mbi dhjetë vëllime, me redaktimin e tij. Po ashtu prof. Preza është marrë edhe me përkthime tekstesh shkencore dhe artikuj të shumtë, që ua referonte mjekëve dhe grupit studentor të lëndës, të cilat zhvilloheshin çdo të premte në klinikë, kur debatohej në kushte të barabarta.
Një punë kaq e madhe me libra, përkthime, fotografime rastesh dhe sistemim të materialeve të shumtë, ai ka patur edhe mbështetjen e kolegëve të papërtuar e dashamirës, si: dr. Ali Kuqo, Hysen Baboçi, Jani Avrami, etj. Dikush sot mund të thotë se disa librave ose pjesëve të tyre, koha i ka zvetënuar. Kjo vetëkuptohet, po ato gjithashtu ngelen në themelin e ngrehinës së një shkence, pa të cilin katet e mëlartme as mund të ngriheshin apo të zinin vend…
V- Humanizmi virtyt i madh i prof. Prezës
Për këtë mund të sjell edhe ndonjë shembull, se në shtëpinë e tij kam punuar për një kohë jo të vogël, për një libër edhe gjatë lejes së zakonshme të të dyve.
Fundkorrik. E diel. Ishin gati për të shkuar familjarisht në një dasmë, por një telefonatë nga zonat veriore ia prishi planin e paracaktuar. Dëgjova që iu shpreh telefonuesit: -Po, gati jam! Kur do të nisemi? Bashkëshortja, Makbule, s’e priti mirë këtë anulim të beftë, por ai i tha: “Kur shërohet një njeri në çdo vatër familjare, dasmë ka. Ja me të tilla dasma jam mësuar unë.” Sa më empatikë duhet të jemi dhe jo vetëm mjeku … Për dasmën e vërtetë nuk u fol më, ndërsa mbi tavolinë qëndronte ende pakoja me dhuratën simbolike…
Kur hymë në ekonominë e tregut, ai nuk iu nda punës së përditshme. A e dini sa e kishte çmimin për një konsultë, ai akademiku, pedagogu dhe mësuesi i të gjithë neve, prof. Bajram Preza? 500 lekë, ndërsa EEG-në 1000 lekë(ku edhe në këtë shërbim ai ishte prijatar). Shpesh përsëriste se “Populli është i varfër”. Në dy sisteme kanë punuar edhe dr. Jani Basho, Frederik Shiroka, Besim Zyma, Kadri Kërçiku, Kristo Kristidhi, etj., por kur lexon biografitë e tyre, prek si me dorë shumë ndjenja humanizmi, duke mos rendur vrapthi pas parasë, “kësaj shërbyeseje të mirë, por padroni të keq.” (F. Bekon.) Ajo është si ujët e detit, sa më shumë të pish, aq më tepër të shtohet etja.
VI-MODESTIA QË ZBUKURON…
Prof. Preza ishte tepër i thjeshtë. Kur punonim në klinikë, ai kishte raste që shpaloste ndonjë klasifikim shkencor psh. për insultet iskemike, epilepsitë, etj., ku fuste diçka edhe nga përvoja e tij shumëvjeçare dhe për çudinë tonë pyeste edhe stazhierët për këtë, pale asistentët e tij. Kur e merrnin në telefon nga rrethet, sidomos për neurohelmimet, kishte raste që ai thosh: – Prisni një minutë! Dhe pas kësaj të kthente përgjigjen më të saktë. Nuk kishte drojë të thosh: Nuk e di! Njeriu ka thënë një filozof nuk është aq budalla sa t’i dijë të gjitha, vetëm të kujtohet se ku mund ta gjejë atë që kërkon. Më vonë fjalët “Nuk e di”, e gjeta edhe te dy librat e neurokirurgut anglez, dr. Henri Marsh (përkthyer nga prof Mentor Petrela dhe Florian Dashi), madje ku ai i ka paraqitur botërisht pa hezitim gabimet e mëdha që ka bërë gjatë përditshmërisë praktike.
VII- AI KISHTE KULTURË TË PËRGJTHSHME PËR TA PATUR ZILI
Kultura e tij në këtë drejtim ishte e rrallë, sidomos në letërsi, gjë që e vinte në vështirësi çdo bashkëbisedues. Ai citonte Homerin, Xhek Londonin, Heminguein, Dostojevskin, Tagorën, Lev Tolstoin, Gëten, Bokaçion, Petrarkën, Lermontovin, Gorkin, Çehovin…Letërsia shprehej profesori ”Jo vetëm të kënaq, të edukon, por edhe të sublimon.” Ne kemi patur një plejadë të tërë pedagogësh mjekë me dhunti të rralla filologjike, si prof. Ylli Popa, Besim Elezi,Ulvi Vehbiu, Skënder Dauti etj., por në këtë fushë shquhej prof. Preza. Dr. Skënder Dauti një ditë të hëne nuk e zhvilloi praktikën mësimore me studentët, sepse ai i pyeti nëse javën e kaluar kishin shfletuar ndonjë vepër artistike, dhe mësoi se nuk kishin parë asnjë film apo teatër, (pale opera). I veçantë në këtë drejtim ishte docent Hiqmet Dibra, dekani reformator dhe mjaft karizmatik që solli një shërbim të madh në drejtimin bashkëkohor të Fakultetit (për të cilin vlen të shkruhet më shumë). Në vitin 1965, ai na solli për një bashkëbisedë në fakultet edhe shkrimtarin Ismail Kadare në grupin e studentëve pjesëmarrës në rrethin letrar, që ekzistonte në Fakultet. Dekani na këshilloi që pranë Propedeutikës dhe Patologjisë, të mbanim edhe librat e letërsisë dhe të gjuhësisë. Dihet se ”shkencat dhe arti, theksonte L. Tolstoi, – janë të lidhura midis tyre, si mushkëritë me zemrën.” Cilat nga disiplinat shkencore si letërsia, psikologjia, lëndët juridike, , muzika, filozofia e ndonjë tjetër, vlejnë dhe janë më pranë neurologjisë dhe psikiatrisë!?
Figura e akademikut Bajram Preza, ka qenë poliedrike dhe ka ndiçuar si një humanist i madh, mjek i shquar, pedagog me horizont të gjerë.
IZET. S. ÇULLI
Shënim: Artikulli dorëzohet mbasi akademiku B. Preza në shkurt do të mbushte 100 vjeç.
Burimi: GazetaDita.al
No Comment! Be the first one.