Dorëzimi i titullit u zhvillua me një ceremoni të veçantë.
Më 20 korrik 1930, në orën 10: 30 skuadra e Sportklub Tiranës, u paraqit para Naltmadhnisë së Tij Mbretit, në banjat e Durrësit, shoqëruar prej Z. De Marchis (përfaqësues i K.K.F-së), prej Këshillit të Shoqërisë dhe prej lojtarëve të Tiranës. Ceremonia madhështore u përcoll nga banda e qytetit të Durrësit. Mbreti Zog shoqërohej prej Princeshës Myzejen. Lojtarët gjatë ceremonialit mbanin të veshur uniformë krejtësisht të bardhë dhe jo atë karakteristiken bardheblu, me të cilën luajtën gjatë gjithë kampionatit.
Kjo për faktin se kjo uniformë e bardhë ishte vendosur si protokollare për prezantimin para Mbretit. Binte në sy një fakt tjetër interesant, mbi fanelën e secilit futbollist ishte vendosur shqiponja dykrenare në shenjë nderi për kampionen. Të cilën gjashtë here Sportklub Tirana dhe një here “Skënderbeu” si kampionë të viteve ’30, i kanë mbajtur gjatë gjithë sezonit, për t’ja dorëzuar fituesit pasardhës. Një traditë e ngjashme me “scudetto-n” tringjyrëshe të flamurit vendosur në fanelën e futbollistëve fitues të Seria A, për çdo vit në Itali.
Në fjalën e rastit, Naltmadhnija e Tij Mbreti Zog theksoi:
“Tani due me ju porositë tre sende që janë tre parime që dëshiroj t’ju rekomandoj. E para: të ndjekni zhvillimin e plotë të dashnisë për Atdhe. E dyta: zhvillimin me zemër të kulluet e pa asnjë djallëzi të vllaznimit të plotë midis Djelmnisë dhe zhvillimin e bashkimit kombëtar. E treta: Disiplinë. Duhet të dini se pa disiplinë nuk mërrihet në asnjë sukses. Po s’pati disiplinë në mes, ç’do gjë humbet vleftën e vet. Djalëria po s’dha shëmbëllën e disiplinës, përpjekjet qe bën janë nul.
Kini për udhëheqës këto tre këshilla e duke iu mbëdhtetur këtyre parimeve, ecni para, ju që jeni shpresa e të arthmes. E arthmja e kombit asht sigurue e pra e arthmja e juej asht e sigurtë. Shpresoj se do të vazhdojë edhe pas kësaj suksesi qi keni fitue dhe uroj të përparoni edhe ma”. Pastaj u luajt hymni kombëtar, i cili gjatë gjithë kampionateve të paraluftës qe një detyrim për t’u egzekutuar para çdo ndeshje në ato qytete ku kishte orkestër frymore. Kupën e kampionatit, një top futbolli prej bronzi, kapitenit Irfan Gjinali ja dorëzoi Princesha Myzejen. Në mbrëmje, drejtuesit e Sport Klubit, futbollistë, dashamirës, autoritete vendore dhe persona të tjerë festuan në ambjentet e hotel restorant “Metropol” në rrugën “Mbretërore” (sot “Barikada”), që i bie të ketë qenë diku aty në mes ku sot janë godinat nëntëkatshe. Nga personalitetet e kohës në atë festë ishin të pranishëm edhe figura publike si profesor Ramazan Jarani apo gazetari i njohur Nebil Çika etj.
Dhe pas këtij triumfi të parë në historinë e tij vargëzimi i titujve kampionë, i fitimit të Kupës së Shqipërisë dhe i Superkupës në harkun kohor të një shekulli do të regjistroi në galerinë e arsenaleve të FK Tirana plot 53 trofe kombëtarw, pa përmendur ato lokalë si kupa përvjetorësh, kupa gazetash, turne të Spartakiadave Kombëtare etj.
Bedri Alimehmeti – Bektash Pojani
No Comment! Be the first one.