“DINASTIA MEMA” – Nga Bedri Alimehmeti
Shkrim i disa viteve më parë nga miku jon i paharruar Bedri Alimehmeti
Në rrugicën “Shyqyri Bërxolli” ngjitur me shtëpinë e profesor Luigj Shalës vegjetoj ndër vite “Dinastia Mema”, e cila nis rrugëtimin e saj në sporte në vitin 1947 me Haxhi Arbanën (Mema), që 17-vjecar veshi për herë të parë fanellën e Tiranës, ndërkohë kulmin e talentit të tij e pati në vitet 50-të tek Partizani.
Beqiri, i vëllai ndryshe nga djemtë e tjerë të Mustafa Memës luajti basketboll me Tiranën, dhe pati fatin të jetë në një ekip me emra të mëdhenj si mjeshtrat Feti Borova, Fatmir Meka, Njazi Lleshi, Boris Bumci dhe Xhorxhi e Andon Kona.
Osmani, djali i tretë mesfushori i “betontë” i Tiranës dhe i Partizanit, katër herë kampion me bardheblutë më 1964-1965, 1965-1966, 1968 dhe 1969-1970, që para këtyre kishte regjistruar në karrierën e tij tre të tillë me Partizanin gjatë kohës kur kryente shërbimin ushtarak.
Aliu, djali i fundit padiskutim më i madhi i “Dinastisë Mema”, e padyshim ndër më të mëdhenjtë e Shqipërisë. Vecmas fanellës bardheblu, me të cilën mban katër tituj kampion më 1964-1965, 1965-1966, 1968 dhe 1969-1970, dhe të kombëtares në 12 ndeshje (e para në fitoren 1-0 ndaj Danimarkës më 30 tetor 1963, me golin e Panos në 3′, dhe e fundit në barazimin historik 0-0 me Gjermaninë më 17 dhjetor 1967), ka veshur edhe ato të Vllaznisë (kur kreu zborin 6-mujor pas universitetit), dhe të Dinamos nëpër takime ndërkombëtare. Luiza, bashkëshortja e Aliut, atlete ka garuar për Tiranën. I biri i tyre Ardriani, luajti me Tiranën, më të cilën fitoi pesë tituj kampionë më 1994-1995, 1995-1996, 1966-1997, 1998-1999 dhe 1999-2000, me kombëtaren dhe Partizanin, tashmë ndihmës i teknikut Ilir Daja te Skënderbeu i Korcës. Sulejmani, djali Haxhiut, luajti me Shkëndinë, Tiranën (dy herë kampion 1981-1982 dhe 1984-1985), kombëtaren dhe më pas si trajner drejtoi Tiranën (fitoi dy tituj 1995-1996 dhe 1998-1999).
Në një sezon drejtoi Partizanin 2003-2004, me të cilin fitoi kupën e Shqipërisë. Bashkëshortja e tij, Emanuela (Axhani) volejbolliste e shquar e Tiranës dhe ekipit kombëtar. Ledia, vajza e tyre e vogël u shqua shumë si notare. Klevis, një futbollist i talentuar, që pritej të merrte stafetën e “Dinastisë Mema” në fushën e blertë, nipi i Beqirit, veshi fanellat e Shkëndisë, Tiranës e Dajtit, por për fat të keq “fluturimi” i tij drejt majave të futbollit u ndërpre. Para disa kohësh 20-vjecari Klevis Mema u nda papritmas nga jeta.
TREGIM PER PENALLTITE E ALI MEMES
Më 7 prill 1963 Ali Mema kishte kontribuar ndjeshëm në fitoren e Kupës së Shqipërisë në një finale të paharruar me Besën në fushën e Kavajës. Takimi i parë në Tiranë kishte përfunduar 2-3 për kavajasit, por në ato vite nuk vlerësohej goli në fushën kundërshtare kështu që me fitoren e Tiranës 1-0 në ndeshjen e kthimit, për të përcaktuar fituesen e Kupës loja u shty 2 X 15′. Gjithsesi shifrat nuk ndryshuan, por Tirana për shkak dëmtimesh kishte humbur dy portierët, Met Metanin dhe Esad Beliun çka e kishte detyruar teknikun Alla të urdhëronte Ali Memën të zinte vend mes shtyllave në roje të portës.
“Detyrë e vështir – rrëfen ai pas 55 vitesh -gjithsesi pa hezituar fare zura vend në portë. E këtë detyrë e mora sepse nuk kisha asgjë për të humbur, përkundrazi doja të fitoja me Tironën. T’habit Raxha do gjuante për Besën.
As që u mendova, por u hodha pasi ai gjuajti topin. E prita. Pas tij për ne do gjuante Ben Bukoviku. “çyç” e plotë, binte shi dhe rrjeta e tund nga goditja e tij,. Përsëri radha e kavajasve dhe përsëri pres unë. Përsëri Beni dhe përsëri gol. Ishim shumë pranë fitores, T’habiti këtë herë u mundua të më mashtronte, por duke mos qenë portier as që e çava kokën. Përsërita të njëjtin rit dhe ia prita penalltinë. Në këto momente më vjen Ben Bukoviku e më thotë “Liu, gjuaje ti këtë penallti”. Qejf kisha, sepse në kampionat gjuaja, por mendova pse ta bej si ajo lopa që pasi i mjel qumështin e derdh më pas me këmbë. Dëshirën e kisha, por edhe frika ish e madhe, kështu që ia lashë përsëri Benit, i cili me golin e shënuar i solli edhe trofeun e parë të paslusftës Tiranës”.
Por historia nuk mbaron këtu. Disa kohë më vonë ekipi Kombëtar në përbërje të të cilit ishte padyshim Ali Mema, zhvillon me Besën në Kavajë një ndeshje stërvitore. Sigurisht Kombëtarja fitoi, por ndeshja nuk përfundoi këtu. Teksa të gjithë lojtarët po hynin nëpër dhomat e zhveshjes, Rexha i lutet Memës të kthehen në fushë për t’i gjuajtur një penallti. Mema pranon, shikuesit që ende s’ishin larguar kthehen dhe ndjekin një skenë të paharruar. Ali Mema zë vend në portë, kurse T’habit Rexha vendos topin tek pika e penalltisë, me vrull dhe godet fuqishëm. Por, Ali Mema e mbërthen topin me të dyja duart. Pas kësaj ishin të qeshurat e dy miqve dhe të të pranishmëve, që kujtuan edhe një herë atë finale ku Ali Mema shkëlqeu edhe si portier.
No Comment! Be the first one.