Autor
Prof.Dr. Muzafer KORKUTI
Territori që përfshin rrethi i Tiranës përbëhet kryesisht nga fusha e Tiranës dhe vargjet kodrinore e malore që e rrethojnë atë nga tre anët. Kushtet gjeoklimatike të favorshme për banim kanë bërë të mundur banimin e saj qysh në fillimet e shoqërisë njerëzore. Këtë e dëshmojnë gjetjet arkeologjike në Rrëzë të Dajtit dhe në Shpellën e Pullumbasit që i takojnë epokës së paleolitit (gurit të vjetër). Kjo trevë vazhdoi të banohej gjatë epokës së gurit të ri, epokës së metaleve dhe në vazhdimësi gjatë tërë epokës historike. Këtë e dëshmojnë kalatë, rrënojat e monumenteve të ndryshme dhe gjetjet arkeologjike, të cilat janë ruajtur deri në ditët tona. Më poshtë po i paraqesim sipas radhës kronologjike qendrat arkeologjike.
Rrëza e Dajtit. Ky emërtim ka hyrë në arkeologjinë shqiptare në fillim të shek.XX, kur gjeologu austriak B.Richthofen, zbuloi në afërsi të gurores së sotme të Dajtit disa vegla stërralli të cilat i takojnë epokës së paleolitit të lartë (30.000-10.000 vjet më parë). Gati pas një shekulli gjetje të kësaj epoke u zbuluan edhe në Shpellën e Pullumbasit. Ndaj mund të thuhet pa mëdyshje se rrethina e Tiranës është një nga trevat më të hershme të banuara në Shqipëri.
Shpella e Pëllumbasit
Shpella e Pullumbasit ose siç njihet nga vendasit Shpella e Zezë ndodhet rreth 2km. në verilindje të fshatit Pullumbas, pikërisht në krahun e majtë të lumit të Erzenit, aty ku lugina ngushtohet, së tepërmi, duke formuar grykën e Skoranës. Shpella është vendosur në faqen e thiktë që formon mali i Pullumbasit, në një lartësi rreth 300m mbi nivelin e detit. Shkëmbi formon një strehë të madhe e cila vjen gradualisht duke u zvogëluar dhe formon një hyrje me gjerësi 14m dhe lartësi 10-12m. Me këto përmasa shpella zgjatet në formën e një tuneli të gjatë 70-80m. Më tej shpella zgjerohet duke formuar një ambjent të bollshëm në formën e një dhome me një tavan shumë të lartë në formë kupole, të lartë 15-20m. Pas këtij ambjenti, gjithashtu shumë të përshtatshëm për banim shpella zhvillohet në formën e dy korridoreve të gjatë, njeri me drejtim lindje-perëndim i gjatë 140-150m dhe degëzimi tjetër në drejtimin verilindor, i gjatë 110-120m.
Në ambientin qendror e veçanërisht në korridorin e gjatë e nëpër degëzimet e shumta të tyre, gjatë miliona vjet të veprimtarisë karstike janë formuar stalaktite e stalamite që të befasojnë me shumëllojshmërinë e bukurinë e tyre, duke krijuar në ambjentet e brendëshme të shpellës një bukuri të rrallë.
Vlera e interesi që paraqet Shpella e Pullumbasit merr përparësi për faktin se ka qenë kthyer e përdorur për banim qysh në fillimet e shoqërisë njerëzore rreth 30.000 vjet më parë.
Për këtë dëshmon prania në Shpellën e Pullumbasit e materialit arkeologjik për epokat e paleolitit, neolitit, eneolitit, bronzit e hekurit. Ato janë të dhëna tërësisht të reja për këto epoka dhe nga një zonë krejtësisht e re e panjohur më parë, ndaj edhe vlera e tyre shumëfishohet.
Jetëgjatësia e banimit të Shpellës së Pullumbasit dhe vendndodhja e saj në një zonë qendrore e krejt të panjohur më parë, i japin asaj përparësi për tu bërë objekt i gërmimeve arkeologjike. Së bashku me interesin që ajo paraqet si shpellë karstike ajo shumë mirë mund të kthehet në një pikë turistike, në një muze natyror i një vendbanimi prehistorik dhe në këtë mënyrë Parkut të Madh Natyror të Dajtit do t’i shtohen vlerat e do të bëhet më i preferuar për tu vizituar nga të gjithë.
Kalaja e Dorsit.
Kalaja e Dorsit është një qendër e fortifikuar protourbane (paraqytetare) e ngritur në një nga majat e kuotave më të larta në vargun e kodrave të shkëputura nga malet e Krrabës, rreth 20km. në jugperëndim të Tiranës.
Për ngritje e kalasë është zgjedhur një pllajë e pjerrët me sipërfaqe shkëmbore, më shumë e gjatë se e gjërë, dhe gati gjysma e saj është e rrethuar me mur, kurse pjesa tjetër e kodrës është e mbrojtur nga shkëmbi natyral.
Muri që rrethon kalanë është i gjatë rreth 300m dhe i gjërë 2,50-3,00m i ndërtuar me gur të papunuar me lidhje të thatë. Në njërën anë të murit ka një hyrje në formë korridori. Brenda mureve ka shumë pak gjetje, fragmente enësh të epokës së hekurit shek.XI-VI p.e.sonë, kohë së cilës i takon edhe ngritja e mureve rrethuese.
Këto lloj vendbanimesh të fortifikuara shërbenin për mbrojtjen e gjithë banorëve të zonës, në rast sulmi nga fise të tjera.
Kalaja e Persqopit ose siç njihet ndryshe kalaja eVilës, ngrihet mbi malin e Vilës, rreth 1km në lindje të kalasë së Petrelës. Nga kalaja ruhet një trakt muri i gjatë rreth 30m, i lartë 6m i bërë me blloqe kuadratik me përmasa të mëdha e mesatare, me lidhje të thatë. Në mesin e faqes ka një kontraforte që i ka dhënë qëndrueshmëri murit.
Në anën lindore të kalasë është zbuluar një varr monumental, i vetmi në territorin e Shqipërisë së mesme. Ngritja e kësaj qendre të vogël qytetare i takon kohës së lulëzimit të përgjithshëm të jetës në Iliri, shek.III-II p.e.sonë.
Në malin e Vilës ruhen edhe gjurmët e fortifikimit të periudhës së vonë antike, shek.IV e.sonë i cili kufizonte një sipërfaqe më të madhe se ajo e periudhës së parë.
Kalaja e Petrelës. Kalaja e antikitetit të vonë e mesjetës, ngritur mbi një kodër shkëmbore 400m të lartë, në juglindje të qytetit të Tiranës, në bregun e majtë të l.Erzen me një pozicion dominues mbi gjithë zonën përreth. Më shumë gjasë, pas braktisjes së Kalasë së Vilës, banorët kanë preferuar atë si më të përshtatëshme për banim.
Në gjendjen e sotme kështjellën e Petrelës e rrethon një mur i gjatë 100m., me dy kulla të rrumbullakta në anën më pak të mbrojtur të kodrës, me një portë të vogël midis tyre. Në pjesën e brendëshme ndodhen dy stera, gjurmët e dy ambienteve banimi si dhe një kullë drejtkëndëshe në pjesën qendrore. Përveç kështjellës së ndërtuar në pjesën më të lartë të kodrës një mur i harkuar rrethon pjesën më pak të mbrojtur të shpatit lindor të saj. Ky mur është pajisur edhe me një portë që ndodhet në skajin e murit.
Gjurmët më të hershme duket se i takojnë ndërtimit të sterave dhe një nymfeu(çesme) të shek.III p.e.sonë, kurse fortifikimi i parë i majës së kodrës duhet të jetë bërë në fillimet e mesjetës.
Në shek.XI kalaja e Petrelës ose siç njihet nga burimet e shkruara Petrula, rifortifikohet dhe bëhet pikë mbrojtjeje në luftën midis normandëve dhe bizantinëve. Fortifikimi i Petrelës mori formën e një kështjellë të vërtetë feudale në kohën e sundimit të Topiasve. Në këtë kohë u ndërtua një kullë gjysmë rrethore. Kësaj periudhe duket si i përket edhe muri i jashtëm rrethues. Për të hyrë në kështjellë duhej të ngjisje një palë shkallë guri që mbështeteshin nga jashtë murit dhe mbaronin me një shesh pushimi para portës. Korridori i hyrjes formonte dy kthesa këndrejt dhe mbulohej me qemerë. Pas çdo kthese vinin nga një palë shkallë me 4-5 këmbë që të ngjisnin në oborrin e kështjellës.
Një interes të veçantë për arkitekturën e kështjellës paraqet kulla gjysmë rrethore e skajit verilindor që përdorej vetëm për luftime. Në gjendjen e sotme kulla ka një lartësi 12.80m dhe formohet nga dy kate të ndarë me dysheme druri. Kati i dytë mbulohet me një kësulë sferike prej tullash. Mbi tarracë ka patur edhe një kat të tretë me konstruksion druri. Kati i dytë ishte ambienti kryesor i luftimit, ai është i paisur me frangji për grykat e topave të vegjël e të armëve. Në kohën e luftës kundër pushtuesve osman Pertrela shërbeu si parafortesë e Krujës dhe u përfshi në sistemin mbrojtës të Skënderbeut. Në shek.XIX e në gjysmën e parë të shek.XX Petrela përmendet për mullijtë e blojes e zejet e ndryshme.
Kalaja e Dajtit gjëndet në anën perëndimore të malit të Dajtit në një lartësi 1200m. mbi nivelin e detit, nga mund të vrojtohej një territor mjaft i gjërë në drejtim të perëndimit e jugperëndimit. Fortifikimi ka formën e një trekëndëshi që rrethohet nga një mur me gurë e llaç, i trashë 1,50-2,30m, që është mjaft i dëmtuar. Nga teknika e ndërtimit kalaja e Dajtit duhet të datohet në shek.VI të e.sonë.
Kalaja e Tujanit ndodhet pranë fshatit Tujan, mbi një kodër me shpate të pjerrta që mbyllin luginën e lumit të Tiranës, duke zotëruar rrugën që kalon për në Dibër. Muret e kalasë janë ndërtuar në përshtatje me terrenin, ato janë bërë me gurë mesatar të lidhura me llaç, dhe rrethojnë një sipërfaqe afërsisht 190m x 160m. Brenda mureve ruhen gjurmë banesash dhe një stere uji. Nga fragmentet e enëve të gjetura dhe teknika e ndërtimit të mureve, kalaja i takon shek.IV-VI të e.sonë.
Kisha e Tiranës. Gjatë ndërtimit të bllokut të banesave karshi Institutit të Kulturës Fizike, (sot janë zyrat e Atelies së Monumenteve të Tiranës) në vitet 70, u zbuluan rrënojat e një banese të shtruar me mozaik. Gërmimi i pjesës që kishte shpëtuar nga dëmtimi, nxori muret e një banese të shek.II-III të e.sonë, e cila në shek.IV të e.sonë ishte kthyer në godinë kulti. Ajo është një kishë një nefshe që përbëhet nga naosi, narteksi dhe absida. Naosi, 8m x 11,5m, e ka dyshemenë të shtruar me mozaik me motive gjeometrike, ndërsa narteksi 12,9 x 4m, për aq sa mund të gjykohet nga fragmentet e ruajtura, është i shtruar me mozaik me motive gjeometrike, simbole të kultit dhe figura kafshësh.
Gjatë kthimit të godinës në kishë janë përdorur për ndërtim tulla me kryqe të datueshme që i takojnë kohës së perandorit Konstandin (gjysma e parë e shnek.IV të e.sonë). Ambientet ndihmëse në anën veriore të ndërtesës janë përshtatur për funksione të tjera.
Kalaja e Prezës. Kalaja është ndërtuar mbi pjesën më të lartë të kodrës që ka një pozicion dominues mbi fushën e Tiranës, duke kontrolluar njëkohësisht edhe rrugët me rëndësi ekonomike dhe ushtarake që lidhin Durrësin me Krujën, Lezhën si edhe rrugën që e lidh me Petrelën.
Në burimet e shkruara Kalaja e Prezës përmendet nga Marin Barleti në veprën e tij “Historia e Skënderbeut”. Gjatë shek.XIX e XX ajo vizitohet nga disa studjues të huaj.
Kalaja ka planimetri katërkëndëshe me përmasa mesatare (80m. gjatësi me 50m gjerësi). Në të katër qoshet është e mbrojtur nga katër kulla rrethore. Një kullë tjetër katërkëndëshe është ngritur në faqen jugore për të mbrojtur më mirë hyrjen e kalasë. Pikërisht mbi hyrjen është ngritur një xhami, kurse në oborrin e kalasë është një stere e madhe uji.
Mendimi mbizotërues është se kalaja u ngrit në shek.XV. Muret rrethuese që i takojnë kryesisht kësaj periudhe ruhen sot në lartësi të ndryshme. Lartësinë më të madhe e ka muri perëndimor që është 6,40m. i lartë. Të kësaj kohe janë edhe kullat e qosheve, të cilat kanë qenë edhe 6-7m më të larta se muret rrethuese e të mbuluara me çati. Pas portës dy kanatëshe vazhdon një koridor i gjatë 4,5m., i mbuluar me qemer guri, që të çon në oborrin e kalasë.
Në periudha të ndryshme kalasë i janë bërë rindërtime e zgjerime të pjesëshme. Kështu mund të përmendim rindërtimin e mureve të dëmtuara, ndërtimin e xhamisë dhe së fundi ndërtimin e kullës së sahatit(fillim i shek.XIX).
Kalaja e Ndroqit. Ngrihet pranë fshatit me të njëjtin emër mbi një kodër të lartë 387m. në krahun e majtë të luginës së Erzenit. Kodra mbaron me një majë të sheshtë rreth 300m gjatësi e 150m gjerësi, sipërfaqja e së cilës është e rrethuar me mure. Dallohen dy teknika në punimin e mureve që i përkasin njera antikitetit të vonë dhe tjetra mesjetës, pa mundësuar dhënien e një date më të saktë. Gjithsesi ndërtimet e periudhave të ndryshme dëshmojnë për kohëzgjatjen e funksionimit të saj si dhe për rolin që kalaja ka luajtur në kontrollin e rrugës që vinte nga Durrësi.
Kalaja e Lalmit. Në periudhën e antikitetit të vonë e mesjetës është ngritur dhe kalaja e Lalmit, mbi një kodër që ndodhet 2km. në perëndim të zonës së Kombinatit. Nga rrethimi i sipërfaqes së kodrës në formë vezake, me përmasa 100mx50m. kanë mbetur disa trakte muri të shkëputura.
Kalaja e Lalmit zotëron pamjen në drejtim të rrugëve që kalonin nga lugina e Erzenit në drejtim të Petrelës dhe nga fusha e Tiranës.
Kalaja e Shën Gjergjit gjëndet në anën lindore të malit të Dajtit pranë fshatit homonim. Ajo është vendosur në një pllajë të vogël të krijuar në rrjedhien e sipërme të Erzenit, aty ku rruga natyrore për në Qafën e Priskës ngushtohet. Kalaja ka formë katërkëndëshe, me përmasa 100mx40m. Brenda mureve ka gjurmë banesash dhe gjetje arkeologjike që i takojnë shek.IV-VI të e.sonë. Kalaja e Shën Gjergjit mbronte e kontrollonte degëzimin rrugor që kalonte nga qafa e Priskës ose Tujanit në Shën Gjergj, e cila të nxirrte në drejtim të Elbasanit, Matit e mëtej Dibrës.
Baldushku. Në juglindje të Tiranës, lugina e lumit të Zhullinës, degë e Erzenit, formon një zonë të veçantë gjeografike e njohur me emrin e fshatit kryesor Baldushk. Udhëtarët që vinin nga Dyrrahu kalonin në Baldushk nëpër qafën e Kumonës, në Vrap për të dalë në Skampa(Elbasan) e më tej në lindje. Që kjo rrugë kishte shërbyer në kohën antike , e dëshmojnë gjetja në fshatin Koçaj(zona e Baldushkut), rrënojat e një banese antike të shek. të parë të e.sonë, dhe dy skulptura që paraqesin një kompozim-njerëz dhe kuaj. Poshtë tyre një mbishkrim në latinisht, që u kushtohet dioskurëve(kastorëve). Këto realizime skulpturore u kushtoheshin mbrojtësve të udhëtarëve.
Vrapi. Fshati Vrap në jug të Tiranës, kufi me rrethin e Elbasanit, ka hyrë në historinë e arkeologjisë shqiptare me gjetjen e Thesarit të Vrapit, zbuluar rastësisht në vitin 1902. Thesari përmbante 9 enë të arta bizantine me peshë 3,044kg, 30 enë argjendi me peshë 1,043kg, disa pajisje rripi me zbukurime të ndryshme, shufra e sende gjysmë të punuara prej ari me peshë 2,371kg. Këtij thesari i përkasin edhe një kupë që u dërgua në Stamboll dhe një tjetër që u shit në Trieste. Më 1917, 39 objekte të këtij thesari përfunduan në fondet e Muzeut Metropolitan të Nju Jorkut ku gjenden edhe sot
Thesari i Vrapit duhet të ketë qenë plaçkë lufte e kapur nga pushtuesit bullgar rreth viteve 680. Pastaj është sjellë dhe fshehur në fshatin Vrap në rrethana të panjohura.Autor
Prof.Dr. Muzafer KORKUTI
Burimi: Forumi Shqiptar
No Comment! Be the first one.