Dossier / Sulmuesi i shpejtë, që spikati në krahun e djathtë të bardhebluve të viteve 60-të
AUREL VERRIA, përkushtimi ndaj talenteve të rinj
Nga BEDRI ALIMEHMETI
SKEDA
Emri: Aurel
Mbiemri: Verria
Vendlindja: Tiranë
Datëlindja: 10 shkurt 1939
Roli: Sulmues i djathtë
Ekipet si futbollist:
Të rinjtë e Tiranës 1957-1958
17 Nëntori i Tiranës 1958
Partizani 1959-1961
17 Nëntori i Tiranës 1962-1967
Trofe:
Fitues i Kupës së Shqipërisë me Partizanin (1961)
Fitues i Kupës së Shqipërisë me 17 Nëntorin (1963)
Kampion me Partizanin:
2 herë në sezonet: 1959 dhe 1961
Kampion me Tiranën:
2 herë në sezonet: 1964-1965 dhe 1965-1966
Arsimimi: Universiteti i Sporteve dega mësuesi
Kurs specializimi një vjeçar për trajner futbolli
Ekipet që ka drejtuar si trajner:
Të rinjtë e Shkëndisë dhe ekipin kombëtar të të rinjve
Vlerësimi: “Mjeshtër i sportit”
U nda nga jeta: më 10 gusht 2005
Në vitet 30-të të shekulit të kaluar familja e tij kishte ardhur për të banuar në Tiranë. Kështu Aurreli vetë u rrit eu formua me traditat e komunitetit vendas. Djalë i shkathët inteligjent me prirje të dukshme për t’u marrë me sport, ende nxënës në shkollën shtatëvjeçare, ku shkëlqen në mësime krijon një grup bashkëmoshatarësh me të cilët nis të ushtrohet në disa lloje sporti. Ishin vitet 50-të kur ndër të rinjtë kryeqytetas po kulmonte një pasion e dëshirë e madhe për t’u marrë me sport. Madje, ai vetë shquhet e dallohet mbi të gjithë shokët e mëhallës ku banonte familja e tij në atë kohë (në ambjentet ku ndodhet gjimnazi “Petro Nini Luarasi”) si vrapues, gjimnast, basketbollist, volejbollist e futbollist. çka bëri që në vitin 1954 të jetë një nga nxënësit e teknikumit të fizkulturës. Ky fakt ishte plotësimi i një dëshire, për të cilën ai kishte ëndërruar shumë. Aty, në ambjentet e asaj shkolle talenti i tij si sportist i gjithanshëm shpërtheu fuqishëm.
Por, dëshirën e pasionin ai e kishte kryesisht vetëm për futbollin. Por, si arriti Aurel Verria duke qenë nxënës i teknikumit të fizkulturës të jetë pjestar i ekipit të të rinjve të Tiranës. Lidhur me këtë rast na vjen në ndihmë me kujtimet e tij “Mjeshtri i Madh” Fatmir Frashëri. “Me Aurelin, – kujton ai, – ishim shokë të një mëhalle. Pavarsisht se qe një vit më i madh nga unë, ne ishim shumë shokë. Madje, edhe në shkollën e fizkulturës ku ai ishte një vit para meje këmbënguli gjatë të shkoja edhe unë. Kështu për çdo ditë shkonim e vinim bashkë dhe ndërkohë luanim edhe me skuadrën e futbollit të shkollës. Dhe më kujtohet në një turne lokal të asaj kohe, në finale ne u ndeshëm me të rinjtë e Punës së Tiranës, që stërvitej nga Xhavit Demneri.
Finalja u luajt në fushën ku ndodhet sot kompleksi “Skënder Halili” dhe u fitua nga të rinjtë e Tiranës, 1-0 me gol të shënuar nga Pavllo (Ben) Bukoviku. Mbas ndeshjes mua dhe Aurelit profesor Xhaviti na tha që të nesërmen të shkonim e të stërviteshim tek ekipi i tij. Aureli shkoj që të nesërmen, kurse unë ngurova. Ndërkohë profesori e kishte porositur, që të më merrte edhe mua. Por, edhe për disa ditë nuk shkova, derisa këmbëngulja e Aurelit bëri të mundur që më në fund edhe unë të bashkohesha me djemtë e “fidanishtes” Demneri”.
Ishte viti 1956, kur Aurel Verria u bë pjesë e e atij grupi të paharruar djemsh të talentuar si Skënder Halili, Panajot Pano, Pavllo (Ben) Bukoviku, Osman Mema, Naim Balla, Fatmir Frashëri, Luigj Bytyçi, Pjerin Perolli, Tomor Gjoka, Kristaq Foto, Stefan Pavli, Bujar Kulheku, Eqerem Caslli etj., që po dominonin në kampionatin e të rinjve dhe shumë shpejt do të bënin epokë në topkëmbën shqiptare. Një vit më pas më 1957 me bardheblutë e rinj shpallet kampion dhe më 1958 bashkë me Halilin, Panon, Ballën, O. Memën e Bukovikun thirret në ekipin e të rriturve. Kështu mbërrijnë takimet e para me fanellën bardheblu, ku krahas emrave të njohur të Metanit, Shehut, Casllit, Reçit, Bulkut, Stërmasit, Radës, Strugës etj.
Pas përfundimit të teknikumit të fizkulturës thirret për të kryer shërbimin ushtarak pranë KS Partizani, ku fiton edhe trofet e parë; dy tituj kampion e një kupë Shqipërie. Dhe pas këtyre sukseseve kthehet sërish te skuadra e zemrës, në gjirin e së cilës kishin nisur të riktheheshin njëri pas tjetrit të gjithë djemtë e talentuar dalë nga “fidanishtja” bardheblu e Xhavit Demnerit. Ishte koha kur ekipi i Tiranës nën komandën e teknikut Myslym Alla i dha futbollit shqiptar karakteristikat thelbësore të futbollit modern, që kishte nisur të lulëzonte në topkëmbën europiane të asaj periudhe, përpos që i përsosi dinamizmin në veprime, teknikën në kombinacione dhe shpejtësinë në befasinë e sulmuese. Si një sulmues tip i krahut të djathtë, Aurel Verria kontriuoi ndjeshëm në prekjen e disa trofeve. Kështu për bardheblutë mbërrin trofeu i parë i pasluftës, kupa e Shqipërisë. Në atë fushë të përbaltur të Kavajës, atë ditë të largët të 7 prillit 1963 në fitoren(1-0) ndaj Besës, një nga “heronjtë” e asaj “beteje” të rrallë sportive ishte edhe Aurrel Verria. Më vonë mbërritën titujt kampionë, takimet në kupën ballkanike dhe në kupën e kampioneve të kontinentit.
Mbas ndërprerjes së aktivitetit sportiv, tek Aurreli spikatën cilësitë e aftësitë e shkëlqyera të pedagogut e të trajnerit. Punoi me mjaft përkushtim me ekipet e grupmoshave të klasave sportive, me ekipet e të rinjve të klubit prej nga dolën shumë futbollistë me të dhëna të shkëlqyera, jo vetëm për ekipin e Tiranës por edhe atë kombëtar. Më pas me këto parametra punoi për shumë vite në shkollën e mjetrisë sportive “Loro Boriçi”. Ndërkohë drejtoi ekipin e të rinjve të Shkëndisë dhe më pas ekipin kombëtar të të rinjve kuqezinj. Falë punës pasionante dhe profesionalizmit të përkryer në gjithçka merrte përsipër për të kryer ai u shqua si një seleksioner i shkëlqyer. Dhe lidhur me këtë në ato vite ndër të rinjtë që ëndërronin të bëheshin futbollistë, me të drejtë qarkullonte mendimi se, po të vinte syrin Aurel Verria bëheshe futbollist në kuptimin e plotë të fjalës.
I sjellshëm, i urtë, inteligjent në kulm dhe mbi të gjitha shumë i dashur, Aureli do të mbetet përherë një figurë e nderuar dhe e respektuar për të gjithë futbolldashësit tiranas. Po ashtu edhe për të afërmit, shokët, miqtë dhe futbollistët e shumtë që përgatiti.
“Dinastia Verria”
Familja Verria me gjith[ka ka dhënë deri më sot për klubin Tirana, në mënyrë të padiskutueshme përbën një “dinasti sportive”. Sigurisht në krye të listës qëndron Aurreli, futbollist i dalluar i Tiranës, që gjatë kohës së kryerjes së shërbimit ushtarak ka luajtur edhe me Partizanin. Madje, ka fituar edhe dy tituj kampion me të dhe një kupë. Por, shkëlqimin e bërtetë do ta ketë tek 17 Nëntori i viteve 60-të, me të cilin fitoi dy tituj kampionë dhe një kupë të Shqipërisë. Pranvera, bashkëshortja volejbolliste e shquar e Tiranës, bashkëlojtare, pasuesja e pandarë gjatë gjithë karrierës sportive e gjigandes së rrjetës shqiptare Fahrie Hoti. “Mjeshtre Sporti” Pranvera Verria (Selimi) është disa herë kampione e vendit dhe fituese e kupës së Shqipërisë. Rajmonda, vajza tyre e madhe kreu studimet në Universitetin e Sporteve, dega mësuesi e ndërkohë u dallua edhe si atlete. Kurse vajza e vogël Margerita, u shqua si basketbolliste në radhët e Tiranës. Madje, ashtu si prindët me fanellën bardheblu ka fituar kupa të Shqipërisë dhe tituj kampionë. Por, nuk mbaron këtu.
Kjo “dinasti sportive”, do të qe e paplotë nëse do të linim pa përmendur Besim Hamdiun (Selimi), babain e Pranverës, organizatorin e palodhur të veprimtarive sportive në Tiranën e viteve 20-të të shekullit të kaluar. Besim Hamdiu (Selimi) ishte nismëtar për krijimin e Shprefes ekipin e “kuqezinjve të Tiranës”, i cili në vitet e okupacionit italian bëri emër me fitoret ndaj skuadrave të garnizoneve të forcave pushtuese. Ishte Besim Hamdiu ai që përkujdesej për mirëmbajtjen e fushës së “Shallvares”, ku u rritën eu formuan aq shumë talente. Më pas ai punoi në stadiumin “Qemal Stafa”. Pa harruar që për shumë vite Besim Hamdiu ishte një nga gjyqtarët më të njohur të vendit, madje edhe i kategorisë ndërkombëtare. Gjithashtu ai ishte nxitës e inkujarues i sportit edhe në familjen e tij.
Kështu djali i madh Nazimi luajti shumë mirë futboll me Tiranën (1948-1950) dhe në ekipin e Durrësit. Pas tij qe Pranvera, ajo që mori stafetën e sportit në familje. Ndërkohë, dy kunetërit e saj, bashkëshortët e motrave më të mëdha kanë qenë sportistë. Kështu Muharrem Reçi, ka qenë boksier i dalluar me Tiranën dhe Sefer Saraçi fillimisht futbollist me kryeqytetasit e më pas gjyqtar futbolli. Pa harruar Genc Reçin, nipin që luajti futboll me Tiranën e viteve 80-të, por për shkak të një dëmtimi të rëndë e ndërpreu aktivitetin sportiv. Por, në këtë listë nuk do të lëmë pa renditur emrin e Leonard Litit, dhëndërit të Muharrem Reçit, mesfushorit të dalluar të Tiranës së viteve 80-të, kampion në sezonet 1981-1982, 1984 – 1985, 1987 – 1888 dhe 1988 – 1989, “Mjeshtër Sporti” titullar i ekipit kombëtar Shpresa U-21, me të cilin ka zhvilluar mjaft ndeshje ndërkombëtare, nga të cilat më të rëndësishmet janë ato të vitit 1983 për eliminatoret e kampionatit europian, ku ekipi ynë u përfshi ndër tetë ekipet më të fortë të kontinentit të vjetër. Gjithashtu në kampionatin ballkanik të viti 1979 zhvilluar në Bullgari, Leonard Liti shkëlqeu mbi të gjithë dhe u cilësua mbrojtësi më i mirë i aktivitetit, duke u nderuar edhe me kupën përkatëse.
Të veçanta nga jeta e Aurel Verrisë
Turneu në Bashkimin Sovjetik
Vetëm pak kohë pasi Aurreli ishte inkuadruar në radhët e ekipit të parë bardheblu, saktësisht në verën e vitit 1958, Puna e Tiranës (kështu quhej në atë kohë skuadra kryeqytetase), bëri një turne miqësor në BRSS. Trajneri Myslym Alla, si gjithnjë largpamës mendoi që në të mirë të perspektivës së skuadrës në atë turne miqësor të kishte në përbërje disa nga futbollistët e rinj, që ishin afruar nga “fidanishjta” e Xhavit Demnerit. Kështu bashkë me Skënder Halilin, Panajot Panon, Fatmir Frashërin në atë turne mori pjesë edhe Aurel Verria. “Pas një udhëtimi të gjatë me vapor, – kujton “Mjeshtri i Madh” Shyqyri Rreli, pjesmarrës në turne – ndeshjen e parë e luajtëm në Odesa, të cilën Tirana e humbi, 0-1.
Më pas vijoi me një humbje tjetër (1-2) në Kishinjev të Moldavisë. Turneu përfundoj në Moskë në një ndeshje me Lokomotivën, e cila në atë kohë renditej e dyta në kampionatin e BRSS pas CSKA së Moskës dhe kishte në përbërje disa lojtarë të ekipit kombëtar sovjetik, i cili sapo qe kthyer nga finalet e Botërorit Suedia-1958. Ndeshja u luajt në stadiumin “V.I. Lenin” në prani të 106 000 shikuesve dhe përfundoi 4-1 për vendasit. Edhe pse të trija ndeshjet përfunduan me humbje, për ekipin në përgjithsi dhe në veçanti për futbollistët e rinj, të cilët pa përjashtim tekniku Alla nuk nguroj t’i aktivizoj në të gjithë takimet, turneu i shërbeu shumë rritjes e pjekuris së tyre në lojë. Fakt ky, që u vu re shumë shpejt në arritjet e 17 Nëntorit gjatë viteve 60-të”.
Përkthyesi i ekipit
“Kur mbërritëm në Bashkimin Sovjetik, – kujton Enver Rada (çoçi), gjithashtu pjesmarrës në turne, – të them të drejtën të gjithë e kishim vështirë për të komunikuar me vendasit. Pra nuk dinim gjuhën. Por, në ato çaste qe Aurrel Verria, që na u gjend dhe komunikoj me një rusishte brilante me vendasit. Madje, disa prej tyre u habitën me rrjedhshmërinë e saktësinë me të cilën e fliste gjuhën ruse dhe kujtuan se kishte studiuar në Bashkimin Sovjetik. Por mbetën të habitur kur ai u tha se, ishte hera e parë që shkelte në tokën e sovjetëve”.
Njohja me Pranverën
Ndodhi në ambjentet e klubit 17 Nëntori, që gjatë viteve 60-të të shekullit të kaluar e kishte selinë në rrugën e “Kavajës”, ku gjendet sot salla e lojnave “Fahrije Hoti”. Këtë fakt, një nga shokët e skuadrës, Pavllo (Ben) Bukoviku e kujton kështu: “Njohja e tyre, qe vërtet dashuri me shikim të parë. Ata u panë një mesditë në ambjentet e klubit, ku shkonim për të drekuar. Aurreli futbollist i afirmuar, Pranvera vajzë shumë simpatike, volejbolliste e talentuar, që po spikaste në rolin e pasueses pranë shuteres së njohur Fahrije Hoti. Pas atij çasti të parë u takuan, u njohën dhe filluan të rrinin shpesh me njëri tjetrin, derisa mbas disa kohësh një ditë të bukur erdhën në ambjentet e klubit për krahu, pra ishin fejuar”.
Qëmtues talentesh
Mbas përfundimit të karrierës futbollistike, Rreli (kështu e thirrnin më së shumti shokët e miqtë), punoi për shumë vite mësues i edukimit fizik në shkolla të ndryshme të kryeqytetit si në “7 Marsi” e “Hasan Vogli”. Shumë studiues e njëherësh pasionant pas njohjes së gjuhëve të huaja bën të mundur që aftësitë e tij profesionalle të mbërrijnë në nivel të lartë kualifikimi. Fakt ky që i dha mundësi të qëmtojë djem që premtonin. Kështu fryt i punës së tij janë emrat e mjaft futbollistëve të njohur si Agustin Kola, Skënder Hodja, Florian Riza etj, që spikatën në radhët e Tiranës edhe në ekipin përfaqsues, pa thënë për shumë të tjerë, që kaluan nëpër duart e tij gjatë viteve të punës në shkollën e mjeshtrisë sportive “Loro Boriçi”, ku Aurel Verria dha kontribut të vyer deri sa doli në pension.
No Comment! Be the first one.