Në vitin 1908 Ali Begeja merr pjesë në komisionin e krijuar për hartimin e programit për përhapjen e gjuhës shqipe dhe sigurinë e vendit, komision i drejtuar nga Refik Toptani, ndërsa në prill 1910 merr pjesë si delegat i Tiranës në Kongresin e III të Manastirit për gjuhën shqipe.
Në vitin 1911 deri në vitin 1914 ka kryer detyrën e gjykatësit paqëtues në Tiranë.
Pas kësaj periudhe hapi zyrën e vet si avokat. Në mars 1914, së bashku me një grup tiranasish mbështet qeverinë e princ Vidit. Për aktivitetin e tij në shërbim të vendit, princ Vidi e dekoron me medaljen “Besë e Bashkim”.
Në Kongresin e Lushnjes që u mbajt më 21 janar 1920, shoqata “Drita”, shoqata e parë e intelektualëve të Tiranës ku sekretar i saj ishte Ali Begeja, e zgjodhi atë përfaqësues të saj në këtë kongres. Avokat Ali Begeja në vitet 1922-1923 zgjidhet kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Në vitin 1924 Ali Begeja zgjidhet antar i Asamblesë Kushtetuese së bashku me Ahmet Zogun, Seit Toptanin, Zija Toptanin, Osman Myderrizin, Rauf Ficon etj. që përfaqësonin qarkun e Tiranës. Në vitin 1927 ishte kryetar i Dhomës së Tregtisë në Tiranë.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 1937, ai zgjidhet deputet i legjislaturës së tretë për prefekturën e Durrësit, në përbërjen e së cilës ishte dhe qarku i Tiranës.
Mbas çlirimit të vendit Ali Begeja vazhdoi profesionin e tij si avokat deri në vitin 1947, kur u arrestua me grupin e deputetëve nga regjimi komunist. Në qelitë e hetuesisë së Tiranës iu nënshtrua torturave çnjerzore derisa vdiq.
Një rrugë në Tiranë mban emrin “Ali Begeja”.
No Comment! Be the first one.