1 shkurt 1888, lindi në Tironë Ali BEGEJA (1888 – 1947), kryetar bashkie, deputet, gjykatës dhe avokat
Aliu lindi në vitin 1888 në Tironë, në familjen Begeja, nji ndër familjet më të vjetra Tironase dhe me kontribute të paçmueshme karshi qytetit të Tironës dhe kombit Shqiptar.
Në vitin 1908 Ali Begeja merr pjesë në komisionin e krijuar për hartimin e programit për përhapjen e gjuhës shqipe dhe sigurinë e vendit, komision i drejtuar nga Refik Toptani, ndërsa në prill 1910 merr pjesë si delegat i Tironës në Kongresin e III të Manastirit për gjuhën shqipe. Në vitin 1911 deri në vitin 1914 ka kryer detyrën e gjykatësit paqëtues në Tiranë.
Pas kësaj periudhe hapi zyrën e vet si avokat. Në mars 1914, së bashku me një grup tiranasish mbështet qeverinë e princ Vidit. Për aktivitetin e tij në shërbim të vendit, princ Vidi e dekoron me medaljen “Besë e Bashkim”.
Në Kongresin e Lushnjes që u mbajt më 21 janar 1920, shoqata “Drita”, shoqata e parë e intelektualëve të Tiranës ku sekretar i saj ishte Ali Begeja, e zgjodhi atë përfaqësues të saj në këtë kongres. Avokat Ali Begeja në vitet 1922-1923 zgjidhet kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Në vitin 1924 Ali Begeja zgjidhet antar i Asamblesë Kushtetuese së bashku me Ahmet Zogun, Seit Toptanin, Zija Toptanin, Osman Myderrizin, Rauf Ficon etj. që përfaqësonin qarkun e Tiranës. Në vitin 1927 ishte kryetar i Dhomës së Tregtisë në Tironë.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 1937, ai zgjidhet deputet i legjislaturës së tretë për prefekturën e Durrësit, në përbërjen e së cilës ishte dhe qarku i Tiranës. Mbas çlirimit të vendit Ali Begeja vazhdoi profesionin e tij si avokat deri në vitin 1947, kur u arrestua me grupin e deputetëve nga regjimi komunist.
Në qelitë e hetuesisë së Tiranës iu nënshtrua torturave çnjerzore derisa vdiq.
Një rrugë në Tiranë mban emrin “Ali Begeja”.
Faqja Tirona e kujton me nderim e respekt.
No Comment! Be the first one.